Profesorët Beqiraj dhe Maksuti morēn pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare më temë “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale"
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës (AZGJ) në bashkëpunim me Universitetin e Evropës Juglindore organizuan Konferencën Shkencore Ndërkombëtare më temë “Terminologjia dhe roli i saj për njohjen e gjuhës profesionale”, e cila i zhvilloi punimet e saj dyditore (më 29-30. 09. 2021).
Konferenca i zhvilloi punimet e saj në hapësirat e Universitetit të Europës Juglindore (UEJL-së) në Shkup, që u organizua në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit. Këtë veprimtari shkencore e përshëndeti drejtori i AZGJ-së, Prof. dr. Ylber Sela; prorektorja e UEJL-së, Prof. Besa Arifi; Prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Shqipëria dhe Prof. dr. Skënder Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
Në këtë veprimtari shkencore morën pjesë me kumtesa studiues nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Italia etj. Në këtë konferencë me kumtesa u paraqitën edhe dy pedagogë të Fakultetit të Filologjisë të UUHP-së: Prof. asoc. dr. Izer Maksuti – “Roli i terminologjisë profesionale në përkthimin e teksteve të specializuara” dhe Prof. ass. dr. Xhafer Beqiraj – “Disa probleme terminologjike në gramatikën e shqipes”.
Në këtë konferencë u vu në dukje rëndësia e zbatimit të gjuhës shqipe në RMV. Mjaft nga studiuesit vunë në pah nevojën e ngutshme për pasurimin e gjuhës me terma që i mungojnë gjuhës në shumë fusha të dijes, prandaj ka vështirësi në përkthime nga gjuhët e tjera në shqipe dhe anasjelltas. Si rrjedhojë, u pa e domosdoshme pasurimi i shqipes në fushën e terminologjisë profesionale. Ndër të tjera, në këtë veprimtari shkencore u trajtua edhe çështja e problemeve të përdorimit të termave joadekuatë në tekste shkollore e universitare.