

Prof. dr. Izer Maksuti pjesëmarrës në Forumin III për Mësimin e Historisë, me temë: “Forcimi i ndërgjegjësimit historik dhe i kulturës përmes arsimit të lartë: rreziqet dhe sfidat"
Prof. dr. Izer Maksuti, mësimdhënës në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, ishte pjesëmarrës në Forumin III për Mësimin e Historisë, me temë: “Forcimi i ndërgjegjësimit historik dhe i kulturës përmes arsimit të lartë: rreziqet dhe sfidat”, (Reinforcing historical awareness and culture through higher education: threats and challenges), që u organizua nga Këshilli i Europës, dhe u mbajt në Universitetin e Bolonjës, nga 15 deri më 17 maj 2024, në Bolonjë, Itali.
Gjatë këtij Forumi u zhvilluan një konferencë, tri seanca plenare dhe dy debate në grupe.
Forumi u hap nga rektori i Universitetit të Bolonjës, prof. dr. Giovani Molari, dhe nga z. Matjaz Gruden, përfaqësues i Institutit për Demokraci në Këshillin e Europës. Këtu morën pjesë emra të njohur të fushës së studimit të historisë, profesorë me renome, si: Antoon, De Baets, Joanna Wojdon, Peter Aronsson, Susann Popp, Tony Gallagher, si dhe mbajtën po ashtu ligjërata drejtues të institucioneve të njohura europiane: Eurodoc, European Students’Union, International Association of Universities (IAU), Magna Charta Observatory, European University Association (EUA).
Në këtë forum u diskutua për bashkëpunime të thelluara midis institucioneve të ndryshme, me qëllim të përparimit të mësimit dhe kërkimit historik dhe promovimin e vlerave demokratike brenda shoqërive.
Pjesëmarrësit e këtij forumi, mbi 50 veta, ishin nga vende të ndryshme të Europës dhe profesionistë të fushave të ndryshme, si nga shkencat humane e sociale: historianë, gjuhëtarë, antropologë; ashtu edhe nga ato të shkencave natyrore: inxhinierë, informatikanë, matematikanë etj.
Forumi i tretë kishte për qëllim të paraqesë hulumtimet e fundit në disa fusha, duke veçuar tri aspekte kryesore: 1. Roli i arsimit të lartë në mësimin dhe kërkimin historik në dhe për shoqëritë demokratike; 2. Identitetet, rolet dhe përgjegjësitë e historianëve brenda arsimit të lartë; 3. Roli i arsimit të lartë në vlerësimin e kulturës historike për shoqërinë.






