

U përurua Antologjia poetike me poetë shqiptarë dhe italianë “Vargje rrezatuese” në Fakultetin e Filologjisë
Në Fakultetin e Filologjisë u mbajt përurimi i antologjisë me poetë shqiptarë dhe italianë “Vargje rrezatuese”, një botim i veçantë që sjell në një vëllim krijime poetike në gjuhën shqipe dhe italiane, duke dëshmuar lidhjet kulturore dhe letrare ndërmjet dy traditave.
Takimin e hapi dhe e moderoi prof. asoc. dr. Flamur Shala, i cili përshëndeti poetët, mysafirët dhe të pranishmit e tjerë, duke theksuar rëndësinë e veprave që nxisin dialogun kulturor dhe letrar.
Në emër të Dekanatit, pjesëmarrësit i përshëndeti prodekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. ass. dr. Fikret Ramadani. Ai u uroi mirëseardhje të ftuarve dhe shprehu gatishmërinë e Fakultetit për të mbështetur aktivitete të tilla kulturore e akademike. Në cilësinë e studiuesit të letërsisë, prof. Ramadani e vlerësoi lart këtë antologji të rrallë dygjuhëshe, duke e cilësuar si një botim të veçantë që ruan dhe promovon poezinë cilësore, si dhe do të mbetet një dëshmi e rëndësishme e krijimtarisë poetike e kohës sonë.
Më pas, znj. Valbona Jakova mbajti një referim me qasje letrare për antologjinë, duke ndriçuar vlerat estetike dhe kulturore të saj. Ajo njëherësh ishte edhe përkthyese e poezive nga shqipja në italisht dhe anasjelltas, duke dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij botimi.
Në vijim, poetja dhe kritikja letrare italiane, redaktorja e Antologjisë, Annitta Di Mineo foli për procesin e përgatitjes së librit dhe rëndësinë e bashkëpunimit kulturor ndërmjet autorëve shqiptarë dhe italianë.
Pjesë e programit ishin edhe studentët e Fakultetit të Filologjisë, të cilët interpretuan disa nga poezitë e përzgjedhura nga antologjia, duke i dhënë aktivitetit një dimension artistik dhe emocional.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë kulturore dhe akademike, duke dëshmuar edhe një herë rolin e Fakultetit të Filologjisë si hapësirë e promovimit të vlerave letrare, kulturore dhe ndërkulturore.












