

Promovimi i librit të studentëve të gjuhës angleze të UPZ-së
Sot, më 25.06.2026 u promovua libri “FRAGMENTS OF US” i autorëve Mirdona Bllaca, Leunora Bojaxhiu, Nora Kotere Çollaku, dhe Valbona Hoxha, të diplomuarve të Fakultetit të Filologjisë, Degës së Gjuhës Angleze.
Ky botim përfaqëson një udhëtim të përbashkët letrar, duke bashkuar reflektime, përvoja dhe shprehje kreative që eksplorojnë temat e qëndrueshmërisë, shpresës dhe rritjes personale. Antologjia është rezultat i një projekti të përbashkët shkrimi, të udhëhequr nga zt. Travis Holland, shkrimtar, ligjërues dhe vullnetar i Korpusit të Paqes, i cili iu ofroi autorëve të rinj mundësinë për të zhvilluar zërat e tyre nën mentorim profesional.
Me këtë rast, në emër të Fakultetit të Filologjisë, Sermin Turtulla, prof.asoc.dr., ia dorëzoi mirënjohjen zt. Travis Holland-it, vullnetarit të Korpusit të Paqes, dhe iu falenderua për kontributin e dhënë në ngritjen e kapaciteteve të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Angleze (DGJLA), dhe përkushtimin e tij që tregoi në udhëheqjen e klubit të shkrimit kreativ për studentët e Fakultetit të Filologjisë, me ç’rast edhe financoi botimin e librit të autorëve të rinj dhe diplomuarve të DGJLA-së.





