

Fakulteti i Filologjisë i përfaqësuar në Konferencën Ndërkombëtare të Letërsisë në Athinë
Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, Dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, mori pjesë në Konferencën e 19-të Ndërkombëtare të Letërsisë, të organizuar nga Athens Institute for Education and Research (ATINER) në Athinë, Greqi.
Gjatë konferencës, Prof. Dibra prezantoi punimin e saj shkencor me titull “Avenging and Virtuous Women in Ancient Greek Literature”, në të cilin trajtoi figurën e gruas në letërsinë e lashtë greke, duke analizuar raportin ndërmjet virtytit, drejtësisë dhe hakmarrjes në veprat klasike.
Në kuadër të konferencës, Prof. Dibra zhvilloi gjithashtu një takim me Prof. Gregory T. Papanikos, President i Athens Institute, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet Athens Institute dhe Fakultetit të Filologjisë, Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Palët shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimit shkencor dhe aktiviteteve të përbashkëta akademike. Në këtë drejtim, u diskutua edhe mundësia e formalizimit të bashkëpunimit përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), i cili do të krijonte një kornizë të qëndrueshme për iniciativa të përbashkëta ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Fakultetit të Filologjisë në këtë konferencë prestigjioze përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të universitetit dhe në promovimin e veprimtarisë shkencore të stafit akademik në forume ndërkombëtare.




