Akademi Përkujtimore për Prof. dr. Sabahajdin Cenën
Më 12.01.2024, Fakulteti i Filologjisë organizoi Akademi Përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Prof. dr. Sabahadin Cenës.
Rektori i Universitetit, prof. asoc. dr. Mentor Alishani, në fjalën e tij para të pranishmëve e vlerësoi lart figurën e Profesorit si mësimdhënës dhe si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më pas, Dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, theksoi se: “Profesor Cena nuk ishte thjesht një pedagog, por një misionar i arsimit, një udhëheqës i pasionuar dhe një frymëzues i vërtetë për brezat e rinj. Me karrierën e tij të pasur, prof. dr. Sabahajdin Cena nuk është thjesht një emër në historinë e arsimit shqiptar, por një dritare që na tregon se si dija, guximi dhe përkushtimi mund të ndikojnë thellë në shoqëri dhe në formimin e brezave të rinj.”
Ndërkaq, prof. asoc. dr. Flamur Shala, në fjalimin e tij, ndër të tjera, u shpreh: “Profesor Sabahajdin Cena ishte intelektual, atdhetar, studiues, profesor e luftëtar. Kronikan i betejave luftarake, orator i zoti me fjalime motivuese atdhetare në luftë, sakaq orator i zjarrtë nëpër manifestime, tubime përkujtimore, tribuna shkencore, përherë.”
Kurse, prof. asoc. dr. Vjollca Dibra, me emocione e kujtoi bashkëpunimin me Profesorin: “Nganjëherë mendoj se fjalët vërtet janë të pafuqishme për të dhënë profilin tënd. Ti s’je më midis nesh në kuptimin fizik, por do të jesh përherë me ne e në ne me mirësinë tënde, shpirti yt është një dritë që do të na udhëheqë gjithmonë.”
Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, ndër të tjera, tha se Profesor Cena shkroi shumë artikuj e kronika duke na lënë një trashëgimi të pasur kombëtare. Arkivi i tij përbëhet nga shumë dosje e artikuj, saqë do të duhet kohë e ekipe hulumtuesish për të analizuar e sistemuar trashëgiminë e Cenës.
Në fund, Rektori ndau mirënjohje post-mortum për Profesor Cenën. Mirënjohjen e pranoi familja Cena. Me këtë rast, para të pranishmëve, Alfredi, djali i Profesorit, shprehu falënderimepër Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren, posaçërisht për kujtimin e jetës dhe veprës së Babait