Akademik Bardh Rugova mbajti ligjëratë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Prof. Dr. Bardh Rugova shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” njëherësh anëtar korrespodent i Akademisë të Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të hënën ka mbajtur ligjëratë me studentët dhe stafin e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren. Tema e ligjëratës ishte: Çështje të gjuhësisë strukturale. Ligjërata u ndjek me kureshtje si nga studentët ashtu dhe nga stafi i fakultetit. Dekani i Fakultetit, Prof. Asoc. Dr. Flamur Shala, theksoi se është nder dhe privilegj i njësisë akademike dhe i universitetit që të ketë mysafir një profesor me një përvojë të gjatë siç është profesori Rugova.
Bardh (Fadil) Rugova ka lindur më 1974 në Pejë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i ka përfunduar në Prishtinë. Është diplomuar në Universitetin e Prishtinës (1997), ku edhe është magjistruar më 2004. Është doktoruar më 2006 në të njëjtin institucion. Ka punuar në gazetën “Koha Ditore” nga viti 1998 deri në dhjetor të vitit 2011. Nga viti 2002 ka qenë redaktor, ndërsa nga viti 2008 zv.kryeredaktor i kësaj gazete. Në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Gjuhës Shqipe, ka filluar të punojë më 1999. Më 2007 është zgjedhur profesor asistent dhe më 2012 profesor i asocuar. Është shef i Departamentit që nga viti 2008. Ka qenë sekretar i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (2000 – 2010) dhe, për dy mandate, drejtor i këtij institucioni (2011 – 2014). Është anëtar i Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe dhe sekretar i AIESEE të Kosovës. Është redaktor i fushës së Albanologjisë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës. Ka qenë pjesë e jurive të ndryshme profesionale për gazetari dhe film në Kosovë. Prej vitit 2015, është anëtar i Bordit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ka mbajtur ligjërata në Universitetin e Munihut, të Berlinit, të Pragës dhe të Napolit. Një semestër ka ligjëruar për studentët e nivelit master edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Interesimet e tij studimore përfshijnë kryesisht tema të gramatikës së tekstit, të analizës së diskursit dhe të fonologjisë së shqipes. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria e tij, krahas veprave studimore nga fusha e gjuhësisë, përfshin edhe vepra publicistike, vepra të përkthyera dhe redaktime të botimeve studimore e letrare të autorëve të ndryshëm. Jeton në Prishtinë. Anëtar korrespodent i ASHAK-ut është zgjedhur në dhjetor të vitit 2016.