

Alfabeti i njësuar – rruga e bashkimit
Me datë 15 nëntor 2025, në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës u zhvillua veprimtaria kombëtare “Gjuha shqipe – identiteti ynë”, e organizuar nga Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, në bashkëpunim me universitetin pritës. Aktiviteti u mbajt në kuadër të Ditëve të Alfabetit, një nga ngjarjet me simbolikën më të thellë për kulturën dhe identitetin e gjuhës shqipe.
Në këtë tubim morën pjesë personalitete të larta të jetës shtetërore, akademike e kulturore. Të pranishëm ishin Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. dr. Bajram Begaj, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. dr. Jaho Cana, përfaqësues të institucioneve shtetërore, të mjedisit kulturor të Gjirokastrës dhe studiues të shquar të gjuhësisë shqiptare.
Gjatë sesionit të kumtesave, u paraqitën studime e hulumtime nga personalitete të njohura të albanologjisë. Në emër të Fakultetit tonë, mori pjesë Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, me kumtesën e tij “Shkronjat që bashkuan një komb”, ku u trajtua me argumentim shkencor roli i alfabetit të njësuar të shqipes në forcimin e identitetit gjuhësor dhe kombëtar të shqiptarëve.
Në përmbyllje të aktivitetit, Shoqata Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit” ndau një sërë mirënjohjesh për personalitete të fushave të ndryshme. Ndër të nderuarit ishte edhe Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, i cili u nderua me titulli “Mik i Labërisë”, me motivacionin:
“Për punën e tij sistematike në evidentimin dhe argumentimin shkencor mbi vjetërsinë dhe rëndësinë e gjuhës shqipe. Në punën e tij shkencore mbi gjuhën shqipe, ka treguar profesionalizëm, përkushtim atdhetar dhe ndjeshmëri të rrallë….”
Ky vlerësim u dorëzua nga Kryetari i Shoqatës, z. Agim Çiraku, prof. dr. Ago Nezha dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Kastriot Muço. Për Prof. Beqirajn, ky nderim paraqet jo vetëm një vlerësim të veçantë, por edhe një përgjegjësi të mëtejshme në shërbim të gjuhës shqipe dhe kulturës sonë kombëtare.






