

Bashkëpunimi akademik ndërmjet Universitetit Hildesheim dhe Universitetit Hannover nga Gjermania me Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Me datën 02.09.2022 në hapësirat e kampusit të Universitetit “Ukshin Hoti”u realizua takimi ndërmjet përfaqësuesve të Universitetit Hildesheim nga Gjermania në krye me prof. Annette Lützel (Koordinatore e projekteve për mësim të gjuhëve të huaja) dhe studentëve nga Universitetet Hildesheim dhe Hannover me profesorë nga dega e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, Fakulteti i Filologjisë, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren.
Grupi i studentëve nga Gjermania po qëndron për praktikë në shkollën ”Loyola-Gymnasium” dhe në kuadër të bashkëpunimit që ka Universiteti i Prizrenit me shkollën “Loyola” u zhvillua edhe ky takim.
Takimi ishte mjaft i frytshëm për të dy palët, duke qenë se prof. Lützel shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit duke u shprehur e hapur për shkëmbime akademike të mësimdhënësve nga kjo degë me Universitetin Hildesheim. Në këtë takim u prezantuan edhe mundësitë të cilat ofron Universiteti i Prizrenit për studentët ndërkombëtar (si p.sh. shkolla verore) dhe vet dega e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.