

Biblioteka e Prizrenit 80 vjet në shërbim të dijes dhe të kulturës
Me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Bibliotekës Rajonale të Prizrenit, dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, mori pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme ku mbajti një fjalë. Në fjalën e tij, ai theksoi:
“Biblioteka e Prizrenit nuk është thjesht një vend me rafte librash, por një institucion ku idetë, kultura dhe historia takohen, bashkëbisedojnë dhe përcillen nga një brez te tjetri. Ajo mbetet një shembull i shkëlqyer i ndikimit të fuqishëm që një institucion kulturor mund të ketë në jetën e një qyteti dhe të një komuniteti.”
Prof. Beqiraj uroi drejtuesit dhe stafin e bibliotekës për përkushtimin e tyre shumëvjeçar ndaj kulturës dhe arsimit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së institucioneve të tilla për të ardhmen e dijes, të kulturës dhe të gjuhës amtare.
Kjo ngjarje shënoi një moment të veçantë të Bibliotekës së Qytetit, duke vënë në dukje njëherazi rëndësinë dhe rolin që ka bashkëpunimi ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre kulturore, siç është Biblioteka Rajonale e Prizrenit. Biblioteka e Qytetit të Prizrenit dhe Fakulteti i Filologjisë kanë ndërtuar prej vitesh një bashkëpunim të frytshëm, duke organizuar së bashku aktivitete kulturore e akademike që promovojnë dijen, leximin dhe krijimtarinë letrare etj.
Prizren, 20 dhjetor 2024



