

Ceremonia e Ndarjes së Certifikatave për Master Klasën “Communication and European Integration – Kosovo Case” në Universitetin "Ukshin Hoti" Prizren
Më 18 dhjetor 2025, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së certifikatave për 21 studentët e Fakultetit të Filologjisë, të cilët përfunduan me sukses master klasën “Communication and European Integration – Kosovo Case”, realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Francës dhe CFI – projektin “Balkan Voices 2”.
Në ceremoni mori pjesë Sh.T.Z. Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë, i cili u prit paraprakisht në takim kortezie nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti , Prof. Dr. Mentor Alishani. Pas takimit, në ceremoninë zyrtare mbajtën fjalë përshëndetëse:
- Ambasadori i Francës, Sh.T.Z. Olivier Guérot
- Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti , Prof. Dr. Mentor Alishani
- Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra
- Dr. Ilire Zajmi-Rugova, RTK – Education Center
Master klasa, e mbajtur më 21 tetor 2025, solli një qasje ndërdisiplinore për studentët e tri departamenteve të Filologjisë (Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Gjuhë Gjermane), duke i njohur me proceset e integrimit evropian, komunikimin institucional, etikën e medias dhe rolin e gjuhës në diskursin publik.
Pjesë e veçantë e ceremonisë ishte sesioni pyetje–përgjigje, ku studentët patën mundësinë të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me Ambasadorin Guérot. Pyetjet prekën tema si:
- roli i të rinjve në proceset e integrimit evropian,
- perspektivat kulturore dhe arsimore Kosovë–Francë,
- rëndësia e komunikimit publik në demokracitë moderne.
Ambasadori u përgjigj me interes dhe inkurajoi studentët të mbeten të angazhuar në fushën e studimeve dhe të shfrytëzojnë mundësitë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Studentët shprehën vlerësim të lartë për përvojën dhe mundësinë për të dialoguar me një diplomat të lartë evropian, ndërsa Fakulteti i Filologjisë dhe UPZ ritheksuan rëndësinë e vazhdimit të projekteve të tilla që forcojnë dimensionin akademik dhe ndërkombëtar të universitetit.
Fakulteti falënderon Ambasadën e Francës për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e çmuar ndaj studentëve tanë









