

Ditët e Shën Nënë Terezës 2025
Sot, në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren, u mbajt një manifestim i veçantë në kuadër të Ditëve të Shën Nënë Terezës 2025, ku u promovuan tri vepra të reja kushtuar jetës, misionit dhe trashëgimisë së shenjtë të Nënës Terezë:
- Don Lush Gjergji – Porositë e Shën Nënës Terezë për ne
- Skënder Asani – Gonxhja e Shkupit në kurorën e botës
- Skënder Asani & Albert Ramaj – Me bashkudhëtarët e Nënës Terezë – Nga misioni në shenjtëri
Në hapje të takimit, Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, theksoi me veçanti se figura e Shën Nënë Terezës mbetet një dritë e pashuar dhe një frymëzim i përhershëm për dashurinë, mëshirën dhe shërbimin ndaj tjetrit. Ajo është një thesar shpirtëror i njerëzimit, një trashëgimi që i takon jo vetëm kombit tonë, por mbarë botës.
Në emër të Universitetit, të pranishmit i përshëndeti Prorektorja, Prof. Asoc. Dr. Adelina Rakaj, e cila nënvizoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për kujtesën akademike dhe institucionale.
Një shkrim të posaçëm për veprat dhe figurën e Nënës Terezë paraqiti edhe Emin Azemi, duke sjellë reflektime mbi dimensionin kulturor dhe universal të misionit të saj.
Privilegji më i madh i takimit ishte prania e vetë Don Lush Gjergjit, autorit dhe njohësit më të thellë të jetës dhe veprës së shenjtores shqiptare, i cili me fjalët e tij përcolli emocion dhe frymëzim tek të pranishmit.
“Kjo ngjarje na thërret të duam më shumë, të falim më shumë dhe të shërbejmë më shumë – ashtu siç bëri Shën Nënë Tereza.”






