Dy profesorë të Fakultetit të Filologjisë morën pjesë në konferencën e Shkupit
Dekani i Fakultetit të Filologjisë prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj dhe prof. asoc. dr. Izer Maksuti profesor në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, morën pjesë në Konferencën shkencore ndërkombëtare dyditore, 29 dhe 30 shtator 2022 me temë “Çështje të standardizimit të toponimisë në RMV”, organizuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së në Shkup.
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit, në amfiteatrin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Agjencia organizoi konferencën e tretë me radhë që nga themelimi i saj, me pjesëmarrës prej disa institucioneve shkencore dhe arsimore nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nga rajoni, si: Tirana, Elbasani, Durrësi, Korça, Ulqini, Prishtina, Prizreni, Gjilani etj.
Në konferencë u prezantua edhe botimi i kumtesave të konferencës së dytë, mbajtur vitin e kaluar, me temën “Terminologjia dhe roli i saj në njohjen e gjuhës profesionale”, për të cilën folën prof. Xhafer Beqiraj nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, si dhe dr. Zeqirja Ibrahimi nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup.
Punime shkencore në këtë libër kanë edhe dy profesorët tanë, ndërsa recensioni i prof. Xhafer Beqirajt për këtë vëllim, do të botohet vitin e ardhshëm bashkë me kumtesat e konferencës së sivjetme.
Prof. Izer Maksuti mbajti kumtesën me temën “Toponimia nga këndvështrimi i politikës gjuhësore në shembullin e Tirolit të Jugut dhe Austrisë”.
Dy profesorët tanë, më 30 shtator, po ashtu ishin pjesë e emisionin të mëngjesit të Radio Shkupit, ku u bisedua për konferencën, promovimin e botimit, rëndësinë e temës së “Standardizimit të toponimisë” si dhe për Ligjin e gjuhëve dhe procesin e zyrtarizmit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.