

Fakulteti i Filologjisë forcon bashkëpunimin me sektorin privat përmes marrëveshjes me ABI SH.P.K
Fakulteti i Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren vazhdon të zgjerojë bashkëpunimet strategjike me sektorin privat, duke konkretizuar një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me kompaninë ABI SH.P.K.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Rektorit të Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe përfaqësuesit të ABI SH.P.K, z. Alajdin Fusha, ndërsa në fokus të këtij bashkëpunimi është angazhimi aktiv i Fakultetit të Filologjisë.
Në kuadër të këtij partneriteti, Fakulteti i Filologjisë do të luajë rol kyç në:
- zhvillimin e projekteve inovative si podcast-i universitar;
- organizimin e aktiviteteve akademike, kulturore dhe rinore;
- krijimin e hapësirave të reja për përfshirjen aktive të studentëve në jetën akademike dhe publike.
Ky bashkëpunim është rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit për të ndërlidhur arsimin me praktikën dhe për të krijuar ura konkrete bashkëpunimi me komunitetin dhe biznesin.
Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, theksoi se:
“Bashkëpunime të tilla janë thelbësore për zhvillimin e studentëve tanë, duke u ofruar atyre mundësi konkrete për përfshirje, krijimtari dhe zhvillim profesional në një kontekst real.”
Në këtë rast, Fakulteti i Filologjisë shpreh mirënjohje të veçantë për ABI SH.P.K për gatishmërinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve akademike, kulturore dhe rinore, duke kontribuar drejtpërdrejt në avancimin e misionit edukativ të Universitetit.
Marrëveshja hap rrugë për realizimin e një sërë aktivitetesh të përbashkëta, duke kontribuar në fuqizimin e rolit të Fakultetit të Filologjisë si një qendër dinamike e mendimit kritik, kulturës dhe inovacionit në nivel universitar.





