

Fakulteti i Filologjisë mirëpriti studentët e regjistruar në vitin e parë
01.10.2024
Sot, studentët e regjistruar në vitin e parë u njoftuan me programet në të cilat do t’i ndjekin studimet. Dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, me një fjalë përshëndetëse, ju drejtua studentëve duke theksuar se zgjedhja e Fakultetit të Filologjisë është alternativ e qëlluar. Me një staf akademik të kualifikuar në çdo departament të njësisë akademike dhe me angazhimin tuaj, sukseset nuk do të diskutohen, vazhdoi dekani Beqiraj. Në vijim bëri prezantimin e stafit akademik, administrativ dhe teknik. Fjalimi e përmbylli duke shprehur përkrahje për studentët e duke uruar suksese në studime.
Ndërkaq, shefi i Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ass. Fikret Ramadani, bëri prezantimin e programit duke dhënë informata të rëndësishme për studentët që kanë zgjedhur të vijojnë studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe.
Në vazhdim, shefja e Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Angleze, ass. Rezarta Ramadani, bëri prezantimin e programit. Përpos të tjerash, fokusin e vendosi në përparësitë e studimit të gjuhës angleze.
Ndërsa, shefi i Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Gjermane, prof. asoc. dr. Ilir Krusha, bëri prezantimin e programit të degës në fjalë. Profesor Krusha, përveç të tjerash, ndau edhe informacione të rëndësishme për integrimin e studentëve në botën perëndimore.
Më pas, kryetarja e Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, Diellza Perteshi, mbajti një fjalim të shkurtër me fokusim në mbështetjen e saj për studentët e rinj.
Në fund, studentët vazhduan me procesin e ligjëratave dhe ushtrimeve sipas orareve përkatëse.










