

Fjala e dekanit me rastin e përfundimit të ligjëratave të vitit akademik 2023-2024
me përfundimin e semestrit veror (dhe të vitit akademik 2023-2024, pra, të përfundimit të ligjëratave), dëshiroj t’ju shpreh, në emrin tim dhe të kolegeve/kolegëve, urimet tona më të përzemërta për përkushtimin dhe arritjet e sukseseve tuaja gjatë këtij viti akademik. Jemi krenarë për arritjet tuaja dhe për përpjekjet që keni bërë për të përmbushur objektivat, të cilët i kemi pasur për synim bashkërisht.
Suksesi juaj në këtë semestër (dhe në tërë vitin akademik) është dëshmi e përkushtimit dhe e dëshirës për të nxënë dije. Çdo detyrë e realizuar, çdo leksion i ndjekur dhe çdo orë e kaluar duke studiuar, ka kontribuar në arritjet tuaja të deritanishme. Kjo periudhë ka qenë një sfidë për të gjithë, por keni treguar vendosmëri dhe durim.
Tani, ndërsa afrohen provimet e afatit të qershorit, ju urojmë të gjithëve suksese të mëtejshme. Besojmë se keni përvetësuar dijet dhe aftësitë e nevojshme për të arritur suksese. Mos harroni se secila përpjekje dhe çdo minutë e kaluar duke studiuar ju afron një hap më pranë qëllimeve tuaja.
Dëshirojmë që t’u qaseni provimeve me besim dhe pozitivitet. Jemi të sigurt se do të vazhdoni të arrini suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.
Të nderuar kolegë/e,
ju përgëzoj për punën e palodhur dhe përkushtimin tuaj! Kontributi juaj është shumë i çmuar në arritjen e sekseseve të studentëve tanë dhe në përmbushjen e plotë të standardeve akademike. Ju falënderoj për angazhimin dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm!
Të gjithë studentëve u uroj shumë suksese në provimet e afatit të qershorit 2024!
Prizren, më 31.05.2024 Dakeni: Prof. asoc.dr. Xhafer Beqiraj


