

Forcim i bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Deutschzentrum Kosovo
Në kuadër të zhvillimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe nxitjes së shkëmbimeve akademike, më 5 nëntor 2025 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren u mbajt një takim zyrtar ndërmjet Dekanes së Fakultetit, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, dhe përfaqësuesve të Deutschzentrum Kosovo, z. Ilir Lenjani dhe z. Arbër Xheladini.
Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e mësimdhënies së gjuhës gjermane, organizimin e provimeve ndërkombëtare ÖSD, si dhe zhvillimin e trajnimeve profesionale për studentët dhe stafin akademik.
Palët ranë dakord për finalizimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi (MoU) ndërmjet Universitetit të Prizrenit dhe Deutschzentrum Kosovo, e cila do të konkretizojë format e bashkëpunimit në aktivitete të përbashkëta akademike, kërkimore dhe kulturore.
Në kuadër të këtij takimi, përfaqësuesit e Deutschzentrum Kosovo dhuruan një sërë librash në gjuhën gjermane për bibliotekën e Fakultetit të Filologjisë, duke kontribuar në pasurimin e resurseve didaktike për studentët e programit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.
Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra vlerësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore, duke theksuar rëndësinë që ka bashkëpunimi me qendra të akredituara ndërkombëtare të gjuhëve për përgatitjen cilësore të studentëve.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar në zgjerimin e partneriteteve që kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e programeve studimore dhe fuqizimin e kompetencave gjuhësore të studentëve.


