

Kompozitat në romanin "Bijtë e askujt 1 dhe 2"
Prof.asoc.dr. Shkelqim Millaku ishte pjesëmarrës dhe referues në Seminarin Ndërkombëtar të Albanologjisë në Tetovë, i cili është organizuar nga Universiteti i Tetovës, përkatësisht nga Fakulteti i Filologjisë, kështu që Seminari për temë kryesore kishte: Kontributi i Rexhep Qosjes për letërsinë dhe kulturën shqiptare, kurse profesor Millaku ka referuar me temën: Kompozitat në romanin ‘Bijtë e askujt 1 dhe 2’. Në vazhdim i prezantojmë disa fjali të kumtesës së prof. Millakut: Trajtimi, studimi dhe përdorimi i kompozitës është një art në vete, sepse përbërja e saj ka mundësi reale për ta ekonomizuar kodifikimin dhe përdorimin e gjuhës, prandaj si në aspektin semantiko-leksikor, ashtu edhe në atë morfo-sintaksor ka hapësirë për t’i studiuar fjalët e përbëra.
Në romanet e Rexhep Qosjes, ‘Bijtë e askujt 1’ janë evidencuar 317 (këpujore e përcaktore), kurse në ‘Bijtë e askujt 2’ janë evidencuar 392, pra gjithsej janë 794 kompozita (fjalë të përbëra), të cilat, si të tilla, përdorën në shoqëri, mirëpo edhe autori i ka përdorur. Në dy romanet në fjalë i kemi evidencuar 76 kompozita, të cilat nuk janë në FESh dhe si të tilla janë prurje të reja, për pasurimin e fjalorëve dhe të gjuhës.
Në përgjithësi në korpusin e Rexhep Qosjes dhe në veçanti në romanet e tij, në këtë rast në romanin ‘Bijtë e askujt 1, 2’ kemi evidencuar mjaft kompozita të llojeve të ndryshme, të cilat janë në përdorim dhe të sistemuara, mirëpo kemi edhe fjalë të reja, apo kompozita që nuk janë në FESh dhe si të tilla e pasurojnë gjuhën. Formimet e tyre janë të mundshme për të qenë: këpujore – bashkërenditëse, përcaktuese – nënrenditëse, të tipit të përzier kompozitë + ndajshtim, pastaj kompozitat dëshirore, urdhërore, sinonimike, antonimike, kompozita me shkurtesa e ndonjë tip e nëntip tjetër që janë dëshmuar dhe prodhimtare në romanet dhe në krijimtarinë e Qosjes. Disa nga fjalët e përbëra që janë përdorur në romanin ‘Bijtë e askujt’ janë: Bashkëdyzim, bojëhiri, bojëqielli, duarshtrënguar, emërvend, fulqinjgjerë, gjysmëmaturë, kult-filmin, puthakëmbës, Qosja-Kadare, shqiptare-turke-iraniane, vendzbulimeve, radio-shërbëtorët, atëherë-shkrimtarët, ballukedjathtas, ballukedrejtë, ballukegjatë, bashkëkëngëtar, bashkim-vëllazërim, bojëbalte, bojëbari, bojëgruri, bojëhiri, bojëqielli, brekëshqyer, bukurpajtuar, buzëdredhur, buzërrudhur, buzëvrenjtur etj.









