Konferenca e Shkupit, 21.11.2022
Në Fakultetin e Filologjisë, në Shkup, sot më 21.11.2022 kisha nderin të jemi pjesë e konferencës shkencore: “50 vjet gjuhë, letërsi e kulturë shqiptare, në Fakultetin e Filologjisë në Shkup; 50 vjet shkruajmë e flasim njësoj”.
Albanologjia në përgjithësi dhe gjuha shqipe në veçanti, ashtu si gjithë populli shqiptar, në etapa e caktuara nuk është investuar e vlerësuar në nivelin e kërkuar e merituar, por falë vigjilencës suaj e të shoqërisë në përgjithësi, sot shqipja dhe shoqëria është duke ecur me këmbë të lënduara, por me ballë të hapur e krenare dhe e unifikuar me alfabetin perëndimor dhe me gjuhë të kodifikuar.
Kumtesën time analizuese do ta fokusoj në një çështje sfiduese për gjuhën, shoqërinë dhe për studiuesit e gjuhës në veçanti, pra duke u fokusuar në temën: “Shqipja përballë terminologjisë së huaj profesionale”. Zhvillimet e reja teknologjike dhe ato të fushave të ndryshme profesionale na kanë sjellë risi dhe sfida gjuhësore.
Terminologjia është tërësia e termave të një fushe të shkencës, si ajo e gjuhës, e kulturës, e teknikut, e juridikut, e bujqësisë, e psikologjisë, e informatikës, e artit, e jetës shoqërore, e politikës, terminologjisë popullore etj. Dihet se në shkencë shprehet më së miri aftësia e njeriut për të vëzhguar, për të analizuar dhe për të studiuar çdo fenomen të mundshëm, shkencor apo edhe si terme me përmbajtje gjuhësore. Termi rëndom përdoret në botimet shkencore (në libra, revista, artikuj, punime) dhe në kumtimet gojore (në konferenca, sesione, simpoziume, leksione, diskutime etj.). Përdoret në fushën e veprimtarisë shkencore, si në: gjuhësi, histori, etnologji, etnografi, arkeologji, matematikë, kimi, fizikë, biologji, mjekësi, bujqësi, teknik, astronomi, në artin figurativ e muzikor dhe në informatikë etj.