

Ligjëratë e veçantë për Ditën e Mësuesit në Fakultetin e Filologjisë
Për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, Fakulteti i Filologjisë organizoi një aktivitet të veçantë, ku për një ligjëratë ishte i ftuar studiuesi e gjuhëtari, prof. dr. Rami Memushaj.
Aktiviteti e hapi dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, i cili ndau disa mendime mbi figurën e Sami Frashërit, duke e cilësuar atë si një nga intelektualët më të shquar të kombit shqiptar. Dekani Beqiraj vuri theksin edhe në rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve në edukimin e brezave të rinj. Po ashtu, me një kujdes të veçantë, ai lexoi veprimtarinë akademike dhe shkencore të prof. dr. Rami Memushajt, duke vlerësuar kontributin e tij të rëndësishëm në studimet gjuhësore, veprat e të cilit janë bërë pjesë e patejkalueshme për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që kanë interes për t’u thelluar në studimin e shqipes.
Më pas, fjala ju kaluar profesorit Memushaj për të realizuar ligjëratën me temë “Sami Frashëri si gjuhëtar”, duke analizuar kontributin e tij në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe duke sjellë një pasqyrë të përgjithshme të veprës së tij. Profesor Memushaj u thellua edhe më tej mbi konceptet gjuhësore të rilindësit Frashëri, duke ngritur paralele krahasimi me gjuhëtarët e epokës moderne në botë. Po ashtu, prof. Memushaj elaboroi vlerën e Samiut dhe kontributin për gjuhën shqipe. Kjo ligjëratë hapi horizonte të reja të njohjes së Sami Frashërit, konkretisht kontributit dhe mendimit të tij në fushën e gjuhësisë.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin akademik dhe shkencor, dekani i Fakulteti të Filologjisë i ndau një mirënjohje profesorit Rami Memushaj, me këtë motivacion: Për kontributin e paçmuar në fushën e gjuhësisë dhe formimin e mësimdhënësve ndër dekada. Pas pranimit të mirënjohjes, profesor Memushaj u shprehu falënderime të veçanta për vlerësimin dhe nderimin e bërë.
Për nder të Ditës së Mësuesit, në vazhdim, dekani i Fakultetit të Filologjisë prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj ndau mirënjohje edhe për mësimdhënësit e rregullt dhe stafin administrativ të fakultetit, në vlerësim të përkushtimit dhe kontributit të tyre në arsim dhe shkencë.
Ky aktivitet, i mbushur me diskutime të dobishme dhe vlerësime të merituara, shërbeu si një moment reflektimi dhe motivimi për të gjithë pjesëmarrësit.
Dekani i Fakulteti të Filologjisë falënderon të gjithë të pranishmit dhe uron mësuesit për festën e tyre!
Urime 7 Marsin!














