

Mësimdhënësit e Fakultetit të Filologjisë morën pjesë në promovimin e dy librave nga etnokultura e Opojës
17 tetor 2025
Në Prizren, konkretisht në Shtëpinë e Kulturës, në praninë e shumë artdashësve dhe studiuesve të kulturës kombëtare, u mbajt një aktivitet i rëndësishëm kulturor që kishte në qendër promovimin e dy veprave të reja nga etnokultura e Opojës: “Materjale nga etnokultura e Opojës” e autorit Xhafer Kabashi, dhe “Lirika popullore e Opojës” e autorit dr. Yrjet Berisha.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj dhe prof. ass. dr. Fikret Ramadani, mësimdhënës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, të cilët dhanë kontribut në këtë ngjarje kulturore.
Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj mbajti një kumtesë për librin “Lirika popullore e Opojës” të dr. Yrjet Berishës, duke theksuar vlerat e kësaj vepre në pasqyrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe poetike të Opojës, si dhe rëndësinë e saj për studimet e mëtejme folklorike e gjuhësore.
Ndërsa prof. ass. dr. Fikret Ramadani udhëhoqi programin e promovimit me profesionalizëm dhe ndjeshmëri artistike, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë kulturore dhe akademike.
Për librin e Xhafer Kabashit folën studiuesit dr. Nexhat Qoqaj, Demir Reshiti dhe Bedri Halimi, ndërsa për librin e dr. Yrjet Berishës, përveç profesorit Beqiraj, referuan edhe Ibrahim Skenderi dhe Bedri Halimi.
Përveç të tjerash, ky aktivitet shënon një kontribut të rëndësishëm në komunitet.






