

Në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, në bashkëpunim me Bibliotekën e Qytetit të Prizrenit, u organizua aktiviteti letrar “Promovimi i krijuesve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë”, me pjesëmarrjen e krijuesve Armenida Qyqja dhe Bes Camaj
Aktiviteti mblodhi profesorë, studentë, dashamirë të letërsisë dhe përfaqësues të jetës kulturore, duke krijuar një atmosferë të veçantë dialogu dhe reflektimi mbi rolin e krijimtarisë shqiptare në diasporë. Gjatë promovimit u prezantuan veprat e autorëve, u diskutua për motivet letrare, përvojat krijuese dhe lidhja e tyre me identitetin kulturor shqiptar.
Në fjalën përshëndetëse, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, theksoi rëndësinë e diasporës shqiptare në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke vlerësuar kontributin e krijuesve shqiptarë jashtë vendit në pasurimin e letërsisë shqipe bashkëkohore.
Prodekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof. Ass. Fikret Ramadani, foli për letërsinë shqiptare në diasporë dhe rëndësinë e saj në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor. Ndërkaq, Prof. Asoc. Dr. Flamur Shala paraqiti një vështrim mbi biografinë e Bes Camaj dhe veprimtarinë e tij krijuese e letrare.
Për krijimtarinë dhe veprimtarinë e autores Armenida Qyqja folën gazetari Qazim Thaçi dhe Prof. Muharrem Gashi, të cilët vlerësuan kontributin e saj në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Një fjalë rasti mbajti edhe drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit të Prizrenit, Sahadete Sadikaj-Kukaj, e cila theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla kulturore dhe bashkëpunimit institucional në promovimin e librit dhe autorëve shqiptarë.
Takimi u moderua nga Prof. Ass. Dr. Dorina Rakaj, ndërsa programi artistik u pasurua me interpretime të poezive nga studentet Djellza Perteshi, Saranda Gavrani dhe Sumeja Krasniqi. Poezitë u përcollën me interpretim në kitarë nga studenti i zellshëm i Fakultetit të Arteve, Dionis Berisha, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë artistik dhe emocional.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar në organizimin e aktiviteteve kulturore e letrare që promovojnë librin, autorët shqiptarë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në shërbim të kulturës dhe arsimit.















