

Në Fakultetin e Filologjisë u përurua numri i parë të revistës “Fjala”
31.12.2024
Fakulteti i Filologjisë shënoi me sukses promovimin e numrit të parë të revistës studentore “Fjala”. Ky aktivitet u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit dhe të Filologjisë dhe shënoi një moment të rëndësishëm për krijimtarinë dhe angazhimin akademik të studentëve.
Gjatë promovimit, u mbajtën disa fjalime, duke filluar me dekanin prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, i cili falënderoi studentët për angazhimin dhe finalizimin e numrit të parë të revistës “Fjala”. Po ashtu, dekani theksoi rëndësinë e projekteve të tilla në nxitjen e kreativitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet studentëve dhe stafit akademik. Ai u shpreh i bindur se kjo ditë do të jetësohet në historikun e Fakultetit të Filologjisë.
Ndërkaq, ass. dr. Fikret Ramadani, shefi i Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, me fjalimin e tij ndau mesazhe motivuese për studentët e mbështetje të plotë për vijimin e kësaj tradite.
Një fjalë rasti e mbajti edhe prof. asoc. dr. Flamur Shala, i cili solli disa reflektime mbi rolin e revistës si një platformë për mendimin kritik dhe krijimtarinë artistike të studentëve.
Prezantuese e kësaj ngjarje ishte, ass. dr. Dorinë Rakaj, e cila e pasuroi atmosferën e aktivitetit me një prezantimin të shkëlqyeshëm.
Revista “Fjala” u përgatit me përkushtimin e studentëve dhe falë mbështetjes së dekanit të Fakultetit të Filologjisë. Në këtë revistë, dhanë kontribut të gjithë studentët, duke përfshirë kryetaren e Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Filologjisë, Djellza Perteshin, pastaj Olza Shemsedinin, ish-kryetaren e Këshillit të Studentëve, njëkohësisht redaktoren e revistës. Xhenisa Krasniqin, Diellza Hajdarin dhe dizajnjerin Arbnor Thaçi, i cili i dha një pamje të jashtëzakonshme dhe moderne numrit të parë.
Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin e platformave studentore brenda Fakultetit të Filologjisë dhe shpresojmë që “Fjala” të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm i krijimtarisë dhe mendimit kritik për komunitetin tonë akademik.
Ju ftojmë të lexoni numrin e parë të revistës dhe të bëheni pjesë e projekteve të ardhshme!











