

Pikëpamjet e Selman Rizës për shqipen
Prof. asoc. dr. Shkelqim Millaku ishte pjesëmarrës në konferencën shkencore “Java e Albanologjisë 15/2024’, e cila është mbajtur në Prishtinë, më 9.09.2024 dhe është organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.
Profesor Millaku kam kumtuar për: Pikëpamjet e Selman Rizës për shqipen
Në vazhdim të njoftimit janë të shkëputura disa fjali të kumtesës:
Veprimtaria shkencore, krijuese, hulumtuese, analizuese, kritikuese e sintetizuese e Selman Rizës për shqipen është një vlerë e veçantë dhe një kontribut serioz i tij, por edhe mjaft me interes për ta rianalizuar, riaktualizuar, rikujtuar e ristudiuar. Kjo çështje kërkohet që të bëhet, jo për të synuar për ndonjë ndryshim të paradigmave tonë, tashmë të sistemuara gjuhësor, por për ta vlerësuar kontributin e njërit nga themelvënësit e gramatikës moderne shqipe, sepse deri në vitin 1964 u ndoq ideja e Rizës për një gegërishte letrare. Riza e ka pasuruar teorinë dhe praktikën e shqipes. Ai e filloi veprimtarin e vet shkencore me studimin ‘Shqiponja dhe shqipja’, të cilën studim e botoi më 1936 në revistën ‘Përpjekja shqiptare’, revistë kulturore, e cila është drejtuar nga Branko Merxhani. Vepra shkencore e Selman Rizës është e madhe dhe sfiduese, ashtu si jeta e tij.
Profesor Selman Riza është një nga themelvënësit e gjuhësisë dhe gramatikës moderne shqiptare. Ai ishte pasionues i gramatikës së gjuhës shqip, por edhe njohës i mirë edhe i gjuhëve të tjera dhe njohës i thelluar i problemeve të gjuhësisë së përgjithshme. Kontributi i tij i veçantë është që ai i ka studiuar e analizuar në formë të përkryer veprat e autorëve të vjetër, por edhe ju është referuar teksteve të ndryshme moderne, të cilat e kanë ndihmuar për ta sistemuar konceptin themelvënës të gramatikës.
Kontributi i kompletuar i Rizës, në tërësi nuk është studiuar, analizuar e botuar po aq sa ka vlerë e merituar, prandaj konsideroj se për dy pasionet e tij ‘Gramatikën dhe Kosovën’ ende ka mundësi reale për të zhvilluar hulumtime të reja, të cilat do ta kompletojnë kontributin dhe vizioni e prof. Selman Rizës, i cili ishte dhe do të mbetet themelvënësi i gramatikës moderne shqiptare, por edhe nga albanologët modern që u pësuaka më së shumti nga sistemi socio-politik, kështu që ai ka pësuar për arsye të bindjeve të tij shkencore e socio-politike.
Riza është dhe do të mbetet njëri nga themelvënësit hulumtues, objektiv e shkencor të gramatikës sonë.






