

Pjesëmarrja e Fakultetit të Filologjisë në Open Day në SPEEEX Prizren
Më 30 prill 2026, Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren mori pjesë në aktivitetin Open Day të organizuar nga SPEEEX Prizren, një ngjarje e dedikuar prezantimit të ambientit të punës, njohjes me ekipin dhe krijimit të urave të reja bashkëpunimi.
Në këtë aktivitet morën pjesë Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, si dhe u.d. Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, së bashku me një grup studentësh nga programi i Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me hapësirat dhe mënyrën e funksionimit të SPEEEX, si dhe të zhvillojnë biseda të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e këtij institucioni mbi mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në fushën e zhvillimit profesional të studentëve dhe përfshirjes së tyre në tregun e punës.
Kjo pjesëmarrje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe sektorit profesional, duke kontribuar në përgatitjen më të mirë të studentëve për sfidat e karrierës së tyre.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve të tilla, në funksion të avancimit të cilësisë së studimeve dhe krijimit të mundësive konkrete për studentët tanë.










