

Prof. asoc. dr. Adelina Çerpja mbajti ligjëratë në Universitetin “Ukshin Hoti” - Prizren
Të martën, më 26 nëntor 2024, në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren, prof. asoc. dr. Adelina Çerpja, punonjëse shkencore në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbajti një ligjëratë me titull “Shkrirja leksikore në proceset fjalëformuese të gjuhës shqipe”.
Takimin e hapi dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj. Në fjalën përshëndetëse, dekani Beqiraj falënderoi të pranishmit dhe prof. Çerpja, e cila i është përgjigjur ftesës për të mbajtur një ligjëratë në Fakultetin e Filologjisë. Gjithashtu, në pika të shkurtra lexoi edhe jetëshkrimin e pasur të profesoreshës.
Më pas, fjala iu dha profesoreshës Çerpja, e cila në mënyrë profesionale ligjëroi temën “Shkrirja leksikore në proceset fjalëformuese të gjuhës shqipe”. Ligjërata si kjo, janë shumë të nevojshme për studiuesit e gjuhësisë dhe studentët e filologjisë.
Në përfundim të kësaj ligjërate kaq të frytshme, dekan i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, u kujdes që t’i ndajë një mirënjohje prof. Adelina Çerpja me këtë motivacion: Për kontributin shumëvjeçar të çmuar në fushën e arsimit dhe të shkencës.
Takimi u mbyll duke uruar që bashkëpunimi ndërinstitucional të vazhdohet më tej dhe nga këto aktivitete të përfitojnë studentët dhe mësimdhënësit.








