Prof. asoc. dr. Izer Maksuti mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Mësuesve të Gjermanishtes / „Die Internationale Tagung für Deutschlehrerinnen und Deutschlehrer (IDT)“, organizuar në Vjenë
Profesori i Degës dhe Letërsisë Gjermane, në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, prof. asoc. dr. Izer Maksuti mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Mësuesve të Gjermanishtes /
„Die Internationale Tagung für Deutschlehrerinnen und Deutschlehrer (IDT)“, organizuar në Vjenë nga 15 deri më 20 gusht 2022; https://www.idt-2022.at/.
Në këtë konferencë, e 17-ta me radhë, që mbahet çdo katër vjet, ishin rreth 3000 pjesëmarrës nga më shumë se 100 vende të botës.
Konferenca ofronte mundësi të shkëlqyera për shkëmbim në fusha të ndryshme profesionale. Rëndësia e shumëgjuhësisë, politikës gjuhësore dhe mësimit të gjuhëve u prezantua dhe u diskutua nga specialistë të fushës në kuadër të programit të ngjeshur të konferencës. Njohja me metodat e reja digjitale për mësimin e gjuhëve, zhvillimet e fundit për mësimin hibrid dhe kombinimin e mësimit me prezencë dhe online, ishin mundësitë tjera të kësaj konference.
Krahas kësaj pati edhe një ofertë të pasur në kuadër të programit kulturor dhe ekskursioneve në vende të ndryshme të Austrisë.
Konferenca zhvillohet në vende të ndryshme të hapësirës gjermanishtfolëse; më 2017 ishte në Fribourg/Freiburg të Zvicrës, në Bozen/Bolzano, Tirol të Jugut, Itali më 2013, ndërsa konferenca e radhës do të organizohet në vitin 2025 në Lübeck, Gjermani.
Aktualisht mbi 15 milionë njerëz në të gjithë botën mësojnë gjermanishten si gjuhë të huaj. Ky numër është kudo në rritje, por më së shumti mësohet në Europë, ku gjermanishtja pas anglishtes është gjuha e dytë e huaj më e folur.
Gjermanishtja bën pjesë në mesin e 20 gjuhëve më të mëdha në botë, e 11-ta në listë, me gjithsej rreth 130 milionë folës, mbi 92 milionë prej tyre e kanë gjermanishten gjuhë të parë, me këtë ajo është gjuha amtare me më shumë folës në Bashkimin Europian dhe e dyta, pas rusishtes në Europë. Mbi 7 milionë njerëz janë pjesë e pakicës gjermane në 42 vende të ndryshme të botës.