

Prof. MANJOLA BRAHAJ HALILI PREZANTON KUMTESËN “KONTEKSTI POLITIK KOMUNIST NË SHQIPËRI DHE LETËRSIA E KODUAR” NË “JAVËN E ALBANOLOGJISË”
Në edicionin e shtatëmbëdhjetë të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, që po zhvillohet në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 19 maj 2026, Prof. Asoc. Dr. Manjola Brahaj Halili, Departamenti i Letërsisë i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, prezantoi kumtesën me titull “Konteksti politik komunist në Shqipëri dhe letërsia e koduar”, të përgatitur në bashkëautorësi me Dr. Belfjore Qose (Zifla), lektore pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës.
Kumtesa trajtoi ndikimin e kontekstit politik të Shqipërisë komuniste në zhvillimin e një letërsie të koduar, duke u ndalur veçanërisht te veprat e Ismail Kadaresë si “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi” dhe “Kështjella”. Punimi vë në pah mënyrën se si alegoria, simbolika dhe metafora u përdorën nga shkrimtarët shqiptarë për të shprehur mendimin e lirë dhe për të artikuluar kritika sociale e politike në kushtet e censurës dhe kontrollit ideologjik.
Përmes analizës tekstuale, semiotike dhe krahasimtare, studimi thekson rolin e letërsisë si formë rezistence intelektuale dhe artistike në një shoqëri të shtypur, si dhe rëndësinë e saj në mbrojtjen e lirisë së individit dhe të shkrimtarit.
Kjo kumtesë u mbajt në seancën shkencore të letërsisë me temë “Letërsia shqipe dhe konteksti”, pjesë e një prej aktiviteteve më të rëndësishme albanologjike në hapësirën shqiptare.



