

Prof. Xhafer Beqiraj merr pjesë në aktivitetin kushtuar Ditës Ndëkombëtare të Librit në Bibliotekën e Qytetit të Prizrenit
Më 23 prill 2025, në ambientet e Bibliotekës së Qytetit në Prizren, u mbajt një ngjarje kulturore për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit – një ditë me rëndësi të veçantë për arsimin, kulturën dhe trashëgiminë krijuese kulturore e shkencore. Në këtë aktivitet morën pjesë shkrimtarë, pedagogë, përfaqësues të institucioneve të arsimit, nxënës, si dhe dashamirë të librit nga mbarë qyteti.
Ky takim u hap nga drejtoresha e Bibliotekës së Qytetit, znj. Sahadete Sadikaj, e cila theksoi rolin jetik të bibliotekave si hapësira që ruajnë dhe përhapin dijen ndër breza. Ajo vuri në pah rëndësinë që ka leximi si proces emancipues dhe libri si mjet i dijes dhe i edukimit. Në fund, drejtoresh vurin në dukje arritjet dhe sukseset e Bibliotekës së Qytetit deri më tani.
Fjalime rasti mbajtën shkrimtari i njohur Skënder Ibrahimi, zyrtari i Drejtorisë së Arsimit në Prizren, z. Nexhat Maçkaj dhe nga komuniteti akademik mbajti një fjalim rasti prof. Xhafer Beqiraj, i cili foli për rolin e librit dhe rëndësinë e së drejtës së autorit në ndërtimin e një shoqërie të dijes dhe respektit intelektual. Prof. Beqiraj, ndër të tjera, tha se “Libri është një akt besimi. Besimi se ajo që shkruajmë do të lexohet. Besimi se ajo që lexojmë do të na ndryshojë. Dhe besimi se dija ka vlerë vetëm kur është e lirë të qarkullojë, por edhe kur është e mbrojtur nga keqpërdorimi.” Në fjalimin e tij, profesori nënvizoi se libri nuk duhet parë thjesht si një detyrim shkollor e universitar, por si një burim emancipimi dhe përgatitjeje për një qytetari aktive. Ai ngriti zërin edhe kundër keqpërdorimeve të dijes, si: kopjimi, përvetësimi i punëve shkencore të të tjerëve pa citime e pa parafrazime dhe shpërndarjen e paautorizuar të librave, duke i cilësuar këto si cenim të thellë të integritetit të botës krijuese dhe kulturore.
Ngjarja u përmbyll me një thirrje të përbashkët për respektimin e së drejtës së autorit, përkrahjen e punës krijuese dhe promovimin e leximit si në mesin e të rinjve, ashtu edhe të qytetarëve në përgjithësi.




