

Profesor Millaku ishte pjesëmarrës në konferencë shkencore ndërkombëtare me temën: Arsimi gjatë gjithë jetës – Qasje gjithëpërfshirëse nga fëmijëria e hershme deri te arsimi profesional, të organizuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës
Prof.asoc.dr. Shkelqim Millaku ka ligjëruar për temën: Lidhshmëria e gjuhës shqipe ndërmjet plan-programeve parauniversitare dhe atyre universitare.
Në vazhdim i prezentojmë disa fjali të kumtesës: Mësimnxënia dhe mësimdhënia e gjuhës shqipe, si në nivelin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar ka lidhshmëri, por në nivel vendi e kombi ka edhe dallueshmëri, si në plan-programet ‘kurrikulat’ parauniversitare, ashtu edhe në ‘programet’ universitare, të cilët përmes tyre, po krijojnë hapësirë lehtësuese e sfiduese për ta mësuar, ligjëruar e zotëruar gjuhën shqipe. Kumtesa do t’i trajtojë disa çështje. Çështjen e parë që do ta analizojmë në këtë kumtesë janë disa plan-programe parauniversitare të gjuhës shqipe dhe në çështjen e dytë duke ju referuar kurrikulave parauniversitare do t’i përshkruajmë, por edhe do ta zgjerojmë fokusin në programet universitare, të cilat programe përgatisin mësimdhënës të gjuhës dhe letërsisë shqipe; të gjuhës shqipe apo të letërsisë shqipe, por si programe të tilla, a janë apo nuk në përputhshmëri për të nxjerrë mësimdhënës të kualifikuar për gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Çështjet në fjalë duhet të kenë lidhshmëri të ngushtë ndërmjet tyre, mirëpo ka raste që duhet të kërkohet harmonizim, unifikim dhe standardizim të detyruar, në mënyrë që gjuha shqipe të mësohet, studiohet e ligjërohet në nivel vendi e kombi me programe kombëtare të kodifikuara e të standardizuara.
Mësimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në tekstet e reja që janë në përdorim, bazën e ndërtimit apo të krijimit të tyre, si tekste parauniversitare e kanë në fushën e “kurrikulave”, në këtë rast për studim e kemi fushën e gjuhës (gramatikën) dhe të komunikimit. Kumtesa do të fokusohet në rolin, lidhshmërinë dhe përmbajtjen e sistemit (gjuhësor) gramatikore. Lidhshmëria gramatikore në disa programe të gjuhës shqipe dhe të letërsisë kanë lënë hapësirë të dëshirueshme për t’i rianalizuar dhe për t’i risistemuar drejt sipas kodifikimit të shqipes standarde dhe rregullave gramatikore të saj. Plan-programet e gjuhës shqipe në përgjithësi janë në nivelin e pranueshëm, mirëpo ka raste që kanë edhe lëshime të mundshme përmbajtjesore dhe profesionale e shkencore, prandaj si të tilla lëshime krijojnë sfida edhe në hartimin e teksteve mësimore.





