

Profesori Emeritus Stephen J. Cowley mbajti një ligjëratë në Fakultetin e Filologjisë
Më 21.05.2024 Fakulteti i Filologjisë u nderua me vizitën e Stephen J. Cowley, Profesorit Emeritus nga Universiteti i Danimarkës Jugore. Profesori Cowley ka dhënë kontributin e tij në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në vitet 1982-84 në Prizren dhe përvoja e tij e çmuar nga ato vite e kanë shtyer që pas 40 vjetëve ta vizitojë përsëri qytetin e bukur të Prizrenit. Profesori Stephen është autor i mbi njëqindtë artikujve dhe redaktor e bashkëredaktor i librave përfshirë “Distributed Language”, “Cognition beyond the Brain”, “Biosemiotic Perspectives on Language and Linguistics” dhe “Organizational Cognition: The Theory of Social Organizing”.
Profesori mbajti sot një ligjëratë me titull “Gjuhët dhe fotografitë: “prej komunikimit deri te ndërtimi i një bote” (Languages and pictures: from communication to world making). Në të ai ndau përvojën e tij në Prizrenin e viteve të 80-ta, por edhe shpalosi konceptin e “ekolinguistikës” (Ecolinguistics of Languaging) ku e ndërlidhi biologjinë teorike me teorinë praktike, duke i vendosur ciklet e jetës njerëzore në bioekologji që zhvillohen në kuptim historik. Ligjërata e tij u ndoq me shumë interes nga profesorët, administrata dhe studentët e universitetit.
Pas ligjëratës, dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, ndau mirënjohje Prof. dr. Stephen J. Cowley për kontributin e dhënë në ish-Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në vitet e 80-ta.






