

Promovohet numri i dytë i revistës studentore “Fjala” në Fakultetin e Filologjisë
Më 17 nëntor 2025, në Amfiteatrin Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren, u mbajt ceremonia solemne e promovimit të numrit të dytë të revistës studentore “Fjala”, një projekt që tashmë është shndërruar në hapësirën më të rëndësishme të krijimtarisë dhe mendimit akademik të studentëve të Fakultetit të Filologjisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, theksoi se revista “Fjala” përfaqëson zërin e gjeneratës së re të filologëve, duke u bërë një platformë e gjallë ku talenti, pasioni dhe guximi i studentëve marrin formë të shkruar. Ajo vlerësoi punën e palodhur të redaksisë dhe rolin e profesorëve në nxitjen e krijimtarisë studentore.
Gjatë ceremonisë u ndanë mirënjohje për redaksinë e numrit të dytë të revistës:
- Djellza Perteshi – Kryeredaktore
- Diellza Hajdari – Lektore
- Taulant Burrniku – Dizajner
- Xheneta Perteshi – Përgjegjëse e dokumentimit
Në mënyrë formale u vlerësua edhe kontributi i dhënë në fazën fillestare të themelimit të revistës nga prof.asoc.dr. Xhafer Beqiraj, si pjesë e mbështetjes institucionale të kohës.
Ceremonia mblodhi profesorë, studentë dhe përfaqësues të fakultetit, të cilët përgëzuan punën e ekipit dhe vlerësuan rolin e “Fjalës” si një forum ku studentët shprehin identitetin e tyre krijues dhe akademik.
Fakulteti i Filologjisë i uron suksese redaksisë dhe gjithë studentëve që kontribuuan në këtë numër, duke i inkurajuar të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt krijimtarisë, hulumtimit dhe profesionalizmit.





