Prorektori Susuri priti në takim përfaqësuesit e Gjimnazit “Loyola” në Prizren
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ngritje të cilësisë,Prof.Ass.Dr. Arsim Susuri, priti në takim drejtorin ekzekutiv të Asociacionit “Loyola” në Prizren dhe drejtorin e Gjimnazit “Loyola” Prof.Enver Sulaj. Takimi u realizua me iniciativën e shefit të degës së Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, Prof.Ass.Dr.Ilir Krusha, ku morën pjesë edhe u.d. dekan i FF Prof.asoc.dr. Flamur Shala, u.d. prodekan i FF Prof.ass.dr. Xhafer Beqiraj, Prof.asoc.dr. Izer Maksuti dhe OeAD-Lektor Dr. Franz Schörkhuber
Temë bosht e takimit dhe diskutimeve ishte arritja e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, me qëllim të realizimit të praktikës së studentëve të FF në mësimdhënie në gjimnazin “Loyola” në Prizren dhe bashkëpunim në fushat e tjara arsimore,si: Organizimi i vizitave të përbashkëta studimore; ligjërata të përbashkëta nga temat aktuale të botës gjermanofolëse; projekte studimore – si vizita të monumenteve historike në Prizren dhe jashtëm; vizita të ndërsjella të stafit akademik, të studentëve dhe të nxënësve dhe përkrahja në mësimdhënie dhe mësimnxënie; shkëmbim të literaturës nga biblioteka e gjermanistikës dhe digjitalizimi i saj; orientimi në karrierë, për nxënësit nga Loyola, etj.
Prorektori Susuri me këtë rast theksoi se arritja e kësaj marrëveshje është para së gjithash në interes të studentëve të universitetit dhe se ekziston gatishmëri e plotë që të arrihet e njëjta.
Palët u dakorduan që në një të ardhme të afërt të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit.