Qëndrim njëjavor pune në Universitetin e Hildesheim-it në Gjermani
Në kuadër të Programit Erasmus + dhe marrëveshjes së nënshkruar në mes Universitetit të Hildesheimit dhe Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, KA 171, prof.asoc. dr. Izer Maksuti, nga Dega e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, Fakulteti i Filologjisë, nga data 19 deri më 26 gusht 2023, pati një qëndrim pune në Universitetin e Hildesheimit.
Udhëtimi dhe qëndrimi ishte bashkërisht me ekipin e gjimnazit Loyola, me të cilin të dy universitet që disa vite kanë një bashkëpunim të suksesshëm, në përbërje prej drejtoreshës së shkollës, Motër Lindita Spaqi, dy mësuese të gjermanishtes në këtë gjimnaz dhe 3 mësues tjerë të disa lëndëve profesionale në këtë shkollë.
Grupi ka pasur pritje dhe takime pune në Universitetin e Hildesheimit me prorektorin për mësim prof.dr. Jügen Sander, prof.dr. Jürgen Menthe, nga dega e kimisë, znj. Annete Lützel, drejtuese e projektit për mësimin e gjuhës “Sprachlernprojekt” dhe bashkëpunëtorja e saj, znj. Johanna Scholz.
Prorektori i Universitetit të Hildesheimit bëri një paraqitje të institucionit të tij: historiku, përbërja, fakultetet, fokusi i studimeve, bashkëpunimi ndërkombëtar etj.; pastaj pasuan prezantimet e palës kosovare. Përfaqësuesit e Loyolës prezantuan shkollën dhe aktivitetin e tyre, ndërsa Prof. Maksuti bëri një paraqitje të Universitetit “Ukshin Hoti” dhe Degës së Gjuhës dhe Letërsisë gjermane, si dhe një hyrje për mësimin e gjermanishtes në Kosovë. Prof.dr. Jürgen Menthe, foli për sistemin arsimor gjerman, veçoritë dhe specifikat e tyre, ndërsa pastaj bashkërisht u diskutua për të përbashkëtat dhe veçoritë e sistemit arsimor gjerman dhe atij kosovar.
Takime pune ka pasur edhe me dy profesorë të Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë gjermane (https://www.uni-hildesheim.de/fb3/institute/idsl/) të këtij universiteti, prof.dr. Jochen Heins, drejtues i institutit dhe prof.dr. Ursula Bredel, e pranishme në këtë takim ishte edhe znj. Daniela Puhrsch, drejtuese e programit Erasmus + në zyrën për marrëdhënie me jashtë.
Vizitë pune dhe qëndrim në institucionet gjermane, grupi ka pasur edhe në mjediset e një gjimnazi klasik, klasa 9-12, pati njohje me drejtuesit dhe mësimdhënësit, asistim gjatë mbajtjes së mësimit. Ky gjimnaz dallohej për nivelin e nxënësve dhe mësimdhënësve, ishte ndër shkollat e pakta që ofron ende mësimin e latinishtes dhe greqishtes së vjetër; shkollë elitare, me nxënës, fëmijë të familjeve të pasura. Vizitë dhe hospitim është bërë edhe në një shkollë fillore, që dallohej për mbajtjen e mësimit të lëndëve profesionale. Organizimi i mësimit në disa lëndë, numri i nxënësve, klasat e përziera me fëmijë me prejardhje nga vende të ndryshme, organizimi i mësimit në gjuhën e prejardhjes ishin disa prej gjërave që u vrojtuan dhe prej temave të shumta që u bashkëbiseduan.
Një ditë përfaqësuesit tanë kanë qëndruar edhe në mjediset e “Leibniz Universität Hannover”. U pritën nga përfaqësuesja e zyrës për marrëdhënie me jashtë, znj. Alexandra Krüger.
Pala e këtij universiteti bëri një prezantim të universitetit të tyre, të njësive akademike, të bashkëpunimit ndërkombëtar, të shkollimit të mësueseve, fushat e hulumtimit etj. U bënë vizita dhe shëtitje nëpër mjediset e pafund të kampusit, të gjelbëruar, të universitetit të tyre.
Gjatë qëndrimit njëjavor në mjediset e këtyre universiteteve u pritëm tepër ngrohtë, mësuam mjaft gjëra të reja, morëm frymëzim dhe një sërë idesh me vete, vazhduam dhe zgjeruam bashkëpunimin ndërinstitucional.
Prorektori Sander dhe drejtuesja e projektin znj. Annette Lützel do të qëndrojnë gjatë shtatorit, një javë në Kosovë. Gjatë kësaj kohe do të vizitojnë Universitetin “Ukshin Hoti” dhe shkollën Loyola në Prizren.