

Qëndrimi njëjavor dhe ligjërata në Universitetin e Humboldit në Berlin e prof. Izer Maksutit
Prej 18 deri më 23 nëntor 2024 prof. asoc. dr. Izer Maksuti, mësimdhënës në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, Fakulteti i Filologjisë, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, në kuadër të marrëveshjes me Erasmus plus në mes të universitetit tonë dhe Universitetit të Humboldit (Humboldt-Universität zu Berlin), pati një qëndrim njëjavor në këtë universitet.
Prof. Izer Maksuti ishte i ftuar nga prof. dr. Christian Voß, profesor në Universitetin e Humboldit, për të qenë pjesë e serisë së aktiviteteve “Kosova në Berlin”, ku mbajti ligjëratën me titull: “Statusi i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në Republikën e Kosovës”.
Me profesorin Christian Voß po ashtu u diskutuan mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe për projekte tjera në mes të dy universiteteve. Gjithashtu u bisedua për mënyrat se si mund të mbështesim edhe ne mësimin dhe studimin e gjuhës shqipe në qarqet universitare dhe akademike në Berlin dhe promovimin e kulturës dhe shkencës shqiptare atje.
Prof. Maksuti pati takim pune edhe me shefin e zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare të Universitetit të Humboldit, z. Johann Comolle, me bashkëpunëtoren e tij znj. D. Beeck, si dhe me z. dr. V. Neumann, i punësuar në Bibliotekën Shtetërore në Berlin (Staatsbibliothek zu Berlin, Preußischer Kulturbesitz).
Të shumtë janë studentët nga viset shqiptare, sidomos nga Kosova që qëndrojnë si praktikantë dhe disa janë doktorantë në Universitetin e Humboldit në Berlin, si pjesë e programit Erasmus plus. Ndër ta edhe 3 ish-studente të fakultetit dhe degës sonë: Arta Sopaj dhe Çliresa Sukaj, praktikante dhe tash doktorante dhe Lejla Toska, praktikante.
Për kontributin dhe mbështetjen e studentëve dhe studiueseve të kulturës dhe gjuhës shqipe në HU Berlin, profesorit Christian Voß i shprehim mirënjohjen tonë.
Në kuadër të Programit Erasmus plus me Universitetin e Humboldit (Humboldt-Universität zu Berlin) është zgjeruar bashkëpunimi me disa universitete nga Republika e Kosovës, pas Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, edhe me Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” dhe me Institutin Albanologjik të Kosovës.
Është i njohur kontributi themeltar i albanologëve gjermanë për gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare. Në Berlin gjejmë vazhdimësinë e traditës së gjatë të studiueseve gjermanë të gjuhës shqipe sidomos të atyre që kanë qenë pjesë edhe e Universitetit të Humboldit si: Vilfrid Fidler (Wilfried Fiedler), Oda Buchholz (Buholc), Gerda Ulish (Uhlisch), Gerd-Dieter Nehring etj.
Prof. Izer Maksuti ishte po ashtu pjesë e programit me diasporën, të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në aktivitetin e datës 22 nëntor, për shënimin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Berlin, me temën „Rreze dielli nga gjuha shqipe“, organizuar nga tre ambasadorët shqiptarë, znj. Adia Sakiqi, z. Faruk Ajeti, dhe z. Ylber Sela, mbështetur po ashtu edhe nga ndërmarrësi Gafi Vejseli, kryetar i Klubit të Biznesit shqiptar në Berlin.
Pjesëmarrës të panelit në këtë bashkëbisedim ishin Prof. Gerd-Dieter Nehring dhe Prof. Erwin Lewin, studiues të njohur gjermanë të albanologjisë, si dhe prof. Izer Maksuti dhe Ahmet Selmani, shkrimtar, kritik letrar, i punësuar në Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës në Shkup.
Prof. Maksuti mori gjithashtu pjesë në promovimin e librit të autorit Ismail Aliu, më datë 23 nëntor, organizuar nga ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, prof. dr. Ylber Sela, në Berlin.







