

Qosja si risimtar i gjuhës shqipe
Instituti Albanologjik i Prishtinës, më 30.05.2015 i ka vazhduar aktivitetet e saj shkencore për “Javën e Albanologjisë”, kurse prof. Millaku e ka prezentuar një kumtesë me titull: Qosja si risimtar i gjuhës shqipe.
Veprimtaria letrare, kulturore e shkencore e Akademik Qosjes është shumë e gjerë dhe frytdhënëse. Kontributi i krijimtarisë letrare të Qosjes është prodhimtar dhe është i shtrirë në disa dimensione, dhe si kontribut i tillë trajton çështje të periudhave të ndryshme, por edhe me tematika të ndryshme letrare, kulturore, kombëtare e shkencore. Risimtaria gjuhësore e Qosjes është e mundur të studiohet e të analizohet në disa rrafshe, apo fusha të ndryshme, e në veçanti në aspektin leksiko-semantike e morfo-sintaksor. Gjatë leximit dhe analizave të veprave të Qosjes kanë dalë çështje të ndryshme gjuhësore, të cilat janë me interes për t’i studiuar, si ato të grupeve të fjalëve (togfjalëshat), njësive frazeologjike, idiomave të ndryshme, lokucioneve, por edhe fjalëve e fjalive të thjeshta e të përbëra që janë risimtare për t’i analizuar dhe më interes për t’i zbërthyer e studiuar.
Prof. Miillaku i ka evidencuar 398 kompozita e fjalë të përngjitura, të cilat janë të përdorura në veprat letrare të autorit në fjalë, por si fjalë të tilla, me strukturë të tillë nuk janë në fjalorët tonë shpjegues. Disa nga fjalët e përbëra janë: Bashkëdyzim, bojëhiri, bojëqielli, duarshtrënguar, emërvend, fulqinjgjerë, gjysmëmaturë, kult-filmin, puthakëmbës, Qosja-Kadare, shqiptare-turke-iraniane, vendzbulimeve, radio-shërbëtorët, atëherë-shkrimtarët, ballukedjathtas, ballukedrejtë, ballukegjatë, bashkëkëngëtar, bashkim-vëllazërim, bojëbalte, bojëbari, bojëgruri, bojëhiri, bojëqielli, brekëshqyer, bukurpajtuar, buzëdredhur, buzërrudhur, buzëvrenjtur.




