

Shkrimtarja zvicerane Meral Kureyshi viziton Fakultetin e Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Më 12 nëntor 2025, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” – Prizren mirëpriti shkrimtaren e mirënjohur zvicerane me origjinë nga Prizreni, Meral Kureyshi, në kuadër të turneut rajonal letrar “Regionale Lesereise”, organizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Kosovë.
Ngjarja u zhvillua në hapësirat e “Austrian Corner”, ku studentë dhe profesorë të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane patën mundësinë të dëgjojnë fragmente nga krijimtaria e autores dhe të diskutojnë me të për temat që ajo trajton në veprat e saj: kujtesën, përkatësinë dhe identitetin ndërkulturor.
Në fillim të aktivitetit, të pranishmit u përshëndetën nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren, i cili vlerësoi lartë iniciativat e tilla kulturore që lidhin universitetin me rrjete ndërkombëtare akademike dhe kulturore. Ai theksoi se bashkëpunime të tilla përforcojnë rolin e Universitetit në promovimin e vlerave të dijes, dialogut dhe diversitetit.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Prof. Asoc. Dr. Vjollca Dibra, Dekane e Fakultetit të Filologjisë, falënderoi Ambasadën e Zvicrës për mbështetjen e vazhdueshme dhe Rektorin e Universitetit për përkrahjen e nismave që pasurojnë jetën akademike dhe kulturore të studentëve. Ajo theksoi se prania e Meral Kureyshit në Prizren, vendlindjen e saj, ka një simbolikë të veçantë, sepse përmes letërsisë autorja rikthen fjalën, kujtesën dhe ndjenjën e përkatësisë.
Shkrimtarja Meral Kureyshi, e lindur në Prizren dhe e rritur në Bern të Zvicrës, është autore e romaneve të njohura “Elefanten im Garten” dhe “Fünf Jahreszeiten”, me të cilat ka fituar vëmendje të gjerë në letërsinë gjermane dhe është nominuar për Çmimin e Librit të Zvicrës (Schweizer Buchpreis).
Ngjarja u mbyll me një bisedë të hapur mes studenteve dhe autores, duke u shndërruar në një takim të ngrohtë kulturash, fjalësh dhe përvojash njerëzore që pasurojnë shpirtin dhe mendimin kritik të studentëve të Filologjisë.








