

Sot, më 23.11.2021, u mbajt takimi i Bordit Këshilldhënës Industrial i Fakultetit të Filologjisë.
Anëtarët e Bordit diskutuan çështje me interes të përbashkët si përcjelljen e trendit të industrisë me anë të pyetësorëve dhe analizave të ndryshme për programe të reja profesionale dhe shkencore të ciklit të dytë Master, si kriter i ri për punësim të të diplomuarve në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 05/21, të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Pas diskutimeve lidhur me iniciativa të përbashkëta të bashkëpunimit në mes të Fakultetit dhe Industrisë, për transferin e dijes, u vendos që të mbahen punëtori me anëtarët e industrisë dhe të fakultetit në temat: Përmbajtja e programeve mësimore dhe ndikimi në ngritjen e cilësisë dhe kapaciteteve akademike mësimdhënëse dhe hulumtuese për të diplomuarit e ardhshëm, të nevojshëm për Rajonin e Prizrenit dhe të Kosovës; shqyrtimi i programeve të reja të ciklit të dytë Master në përputhje me nevojat e tregut, hulumtimi i kapaciteteve absorbuese të institucioneve shkollore dhe të tjera (nevoja për mësimdhënës, lektorë, përkthyes profesionalë, sipas nevojave të institucioneve etj.) për të diplomuarit në Fakultetin e Filologjisë, zhvillimi i bashkëpunimit kulturor me Komunën e Prizrenit dhe shkëmbime ndërkulturore me komunitete të ndryshme në përputhje me Planin Strategjik të Fakultetit të Filologjisë.
Këto aktivitete janë duke u zhvilluar në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren me qëllim të përmbushjes së objektivave të përcaktuara në Planin Strategjik të Universitetit 2020-2024, rreth kontributit në komunitet, përmes transferimit të dijes.