

Takim bashkëpunimi me drejtorin e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të lidhjes së studimeve filologjike me jetën kulturore dhe artistike të qytetit, Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, zhvilloi një takim pune me drejtorin e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu”, z. Burim Mustafa.
Takimi u zhvillua në ambientet e teatrit, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Filologjisë dhe Teatrit të Qytetit, veçanërisht në përfshirjen e studentëve në aktivitete artistike, realizimin e projekteve të përbashkëta teatrore, si dhe organizimin e punëtorive, leximeve dramatike dhe aktiviteteve kulturore që lidhen me studimet e letërsisë dhe artit skenik.
Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe atyre kulturore për të krijuar hapësira të reja për zhvillimin profesional dhe artistik të studentëve. Po ashtu, u diskutua për mundësinë e realizimit të projekteve të përbashkëta teatrore, ku studentët e Fakultetit të Filologjisë do të kenë mundësi të kontribuojnë në adaptime letrare, analizë dramaturgjike dhe aktivitete të tjera kreative.
Fakulteti i Filologjisë mbetet i përkushtuar për të ndërtuar ura bashkëpunimi me institucionet kulturore të qytetit, duke synuar që studimet filologjike të ndërthuren sa më shumë me praktikën artistike dhe jetën kulturore të komunitetit.




