

Takim bashkëpunimi me OeAD – Austria’s Agency for Education and Internationalisation
Dekanja e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra, zhvilloi një takim shumë të frytshëm në Prishtinë me znj. Isabella Zborka, përfaqësuese e OeAD në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Filologjisë dhe OeAD, me fokus të veçantë në mobilitetin akademik, mbështetjen për programin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.
Takimi u karakterizua nga një frymë shumë pozitive dhe konstruktive, ku u shpreh gatishmëri e plotë për bashkëpunim në fusha të ndryshme, përfshirë projekte të përbashkëta, trajnime për studentë dhe staf, si dhe iniciativa që synojnë rritjen e ndërkombëtarizimit të fakultetit.
Ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit me OeAD dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit.


