

Takim bashkëpunimi mes dy Fakulteteve të Filologjisë – Prizren dhe Prishtinë
Sot, në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, u zhvillua një takim miqësor dhe bashkëpunues mes Dekanes së Fakultetit të Filologjisë të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, prof. asoc. dr. Vjollca Dibra, dhe Dekanit të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Abdulla Rexhepi.
Takimi kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave akademike dhe shkencore si dhe identifikimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve. Palët diskutuan për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike e kulturore, shkëmbimin e stafit dhe studentëve, si dhe nismat për projekte të përbashkëta në kuadër të programeve ndërkombëtare.
Ky takim shënon fillimin e një bashkëpunimi të ngushtë mes dy fakulteteve, me synim fuqizimin e rolit të filologjisë dhe promovimin e vlerave të përbashkëta shkencore dhe kulturore.



