

Takime institucionale në Universitetin e Grazit: drejt konkretizimit të bashkëpunimit akademik
Në kuadër të vizitës zyrtare në Universitetin e Grazit, Prof. Assoc. Dr. Vjollca Dibra Dekane e Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren,, zhvilloi takime pune me përfaqësuese të rëndësishme të komunitetit akademik në Graz, me fokus avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në këto takime morën pjesë:
- Prof. Dr. Sebnem Bahadir-Berzig, nga Instituti për Studime të Përkthimit, e cila nga muaji tetor do të marrë detyrën e Prorektores në Universitetin e Grazit;
- Assoc. Prof. Dr. Emma Lantschner, nga Graz School of Interdisciplinary Transnational Studies;
- Dr. Nicole Haring, hulumtuese në Graz School of Interdisciplinary Transnational Studies;
- Ao. Univ.-Prof. Dr. Roberta Maierhofer, përfaqësuese e Institute of American Studies Graz.
Takimet u zhvilluan në një frymë bashkëpunimi dhe reflektuan një interes të ndërsjellë për thellimin e marrëdhënieve akademike dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.
Në fokus të diskutimeve ishte:
- shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik në kuadër të shkollave verore ekzistuese në Prizren dhe në Graz;
- zhvillimi i programeve të mikrokredencialeve, të orientuara drejt projekteve kërkimore dhe bashkëpunimeve ndërdisiplinare;
- zgjerimi i mundësive për mobilitet akademik dhe përfshirje në projekte të përbashkëta ndërkombëtare.
Si rezultat i këtyre takimeve, palët u dakorduan për të avancuar drejt nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi (MOU) në fillim të vitit të ardhshëm akademik, e cila do të formalizojë këtë partneritet dhe do të krijojë një kornizë të qëndrueshme për bashkëpunim të mëtejmë.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të mëtejmë të Fakultetit të Filologjisë dhe forcimit të pozicionit të tij në rrjetet akademike evropiane.





