Tre mësimdhënës të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë gjermane prof. asoc.dr. Ilir Krusha, prof.ass.dr. Shpëtim Zymberaj dhe prof.asoc.dr. Izer Maksuti morën pjesë në Konferencën II-të Shkencore Ndërkombëtare “BRIDGE 2023”
Prof. Shpëtim Zymberaj dhe prof, Ilir Krusha mbajtën kumtesën me titull: Zhvillimi gjuhësor i fëmijëve sipas Metodologjisë Maria Montessori
Ku folën për zhvillimin gjuhësor të fëmijëve dhe duke parë nevojën që arsimimi të filloj qysh në fëmijërinë e hershme,është e rëndësishme që të përdoren Metodologji praktike dhe efikase dhe njëra ndër to,është edhe Metodologjia e Maria Montessorit e cila është treguar mjaft efikase. Mund të themi se Metodologjia Montessori,sipas AMI-it (Association Montessori Internationale),është ndër metodologjitë e rralla që i ka bërë ballë kohës duke i qëndruar besnike shtrirjes së saj origjinale e cila është themeluar para shumë dekadash dhe vazhdon të jetë frytdhënëse dhe efikase në kopshte të njohura fëmijësh edhe në ditët e sotme.
Prof. Maksuti këtu mbajti kumtesën me titull: “Ndërgjegjësimi gjuhësor si mjet i planifikimit dhe politikës gjuhësore”. Ai foli për rëndësinë e ndërgjegjësimit gjuhësor, si në pjesën e komunikimit dhe përdorimit të përditshëm të gjuhës, ashtu edhe në procesin e mësimit të gjuhëve dhe zhvillimin e aftësive gjuhësore, si dhe për rëndësinë e gjuhëve në fushën e arsimimit dhe të punësimit. Pjesë të këtij procesi të ndërgjegjësimit gjuhësor janë edhe rëndësia e ruajtjes së larmisë gjuhësore, vlerësimi dhe kultivimi i shumëgjuhësisë, shmangia e gjuhës së urrejtjes, respektimi i të drejtave gjuhësore etj. Po ashtu ai bëri një përshkrim të procesit të ndërgjegjësimit qytetar e kombëtar, për domosdoshmërinë e edukimit gjuhësor në shkollë, rritjen e kulturës gjuhësore, si dhe përmirësimin e statusit dhe të drejtave gjuhësore. Ndër të tjera u diskutua edhe për dukurinë e shkeljeve të normës gjuhësore nga përdoruesit në institucionet arsimore dhe të administratës shtetërore, në disa rrafshe, si në atë fonetik, morfologjik, sintaksor, leksikor etj. Pikërisht për këtë duhen bërë në vazhdimësi fushata ndërgjegjësimi, si për mësimin dhe zotërimin e gjuhës standarde, ashtu edhe për përdorimin e drejtë dhe të duhur të normës gjuhësore, në të shkruar dhe në të folur.
Dega e Gjuhës dhe Letërsisë gjermane ekziston që nga themelimi i universitetit tonë (2010) dhe ka bashkëpunim shumë të frytshëm me institucione të vendit, rajonit, sidomos me ata të vendeve gjermanishtfolëse. Nga viti 2014 kultivohet kooperimi ndërinsitucional me Shkëmbimin Akademik Austriak OeAD, i cili ka dërguar një lektor të gjuhës gjermane në Degën e gjermanistikës, si pjesë e Fakultetit të Filologjisë. Prej vitit 2018 pjesë e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë gjermane është edhe Biblioteka e specializuar e gjermanistikës, me mbi 5 mijë libra, kryesisht të dhuruara nga Universiteti i Vjenës, Instituti i Gjuhësisë dhe Instituti i Gjermanistikës.