

U mbajt aktiviteti i studentëve "T'i rikujtojmë rilindësit”
Në fund të këtij semestrit, studentët e vitit të dytë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, në kuadër të lëndës Letërsi romantike shqipe, organizuan një aktivitet të titulluar “T’i rikujtojmë rilindësit”.
Udhëheqësja e takimi, studentja Sanije Parallangaj, pas përshëndetjeve të ngrohta, fjalën ia kaloi dekanit të Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj. Dekani u shpreh i lumtur që në Fakultetin e Filologjisë studentët janë kaq të gatshëm për organizimin e takimeve që kanë peshë për kulturën dhe letërsinë shqiptare duke mos kursyer falënderimet për studentët, mësimdhënësen e lëndës prof. asoc. dr. Teuta Kafexhollin dhe ideatorin e aktivitetit, ass Fikret Ramadanin, i cili njëkohësisht ka zhvilluar ushtrimet e lëndës Letërsi romantike shqipe I dhe Letërsi romantike shqipe II.
Prof. asoc. dr. Teuta Kafexholli, në cilësinë e bartëses së lëndës, u shpreh e gëzuar për idenë novative duke besuar se kjo është një ndër mënyrat më të mira për përmbylljen e këtij viti akademik.
Më pas, ass. Fikret Ramadani, PhD (c) si ideator dhe bashkorganizator i takimit, në fjalën përshëndetëse, përpos falënderimeve për dekani, prof. Xhafer Beqiraj dhe profesoreshën Teuta Kafexholli, nuk kurseu falënderimet për studentët, të cilët që nga dita e nismës se aktivitetit e deri në realizimin e plotë në fund të semestrit, pareshtur u angazhuan jo vetëm në shkrimin e krijimeve poetike për secilin rilindës veç e veç, por edhe në ofrimin e ideve të reja në çdo takim.
Pjesa qendrore e takimi filloi me prezantimin e krijimeve poetike të katërmbëdhjetë studentëve kushtuar rilindësve dhe vlerave të jashtëzakonshme që na kanë lënë. Deklamimet e krijimeve origjinale të studentëve u përcoll me duartrokitje e emocione të shumta nga të pranishmit.
Në fund, në formë befasie, dekani Beqiraj dhe anëtarja e Këshillit të Fakultetit të Filologjisë, Diellza Përteshi, ndanë nga një dhuratë simbolike për profesoreshën Teuta Kafexholli dhe shefin e Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, Fikret Ramadani.









