

U përuruan librat “Pabarazia gjuhësore” dhe “Me vaj n'buzë” të prof. asoc. dr. Falmur Shalës
Sot, në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren, u promovuan librat “Pabarazia gjuhësore” (Përmbledhje me artikuj shkencorë) dhe “Me vaj n’buzë” (Përmbledhje me poezi) të autorit, prof. asoc. dr. Flamur Shala.
Moderatori i këtij takimi, ass. Fikret Ramadanit, fillimisht përshëndeti të pranishmit dhe lexoi në pika të shkurtra jetëshkrimin e profesor Shalës. Më pas fjalën ia dha recensuesit të parë të librit “Pabarazia gjuhësore”, prof. dr. Naser Pajazitit, i cili ndër të tjerash, vlerësoi lart qasjen dhe rëndësinë e artikujve shkencorë në fushën e gjuhësisë si në aspektin diakronik, po ashtu edhe në atë sinkronik.
Më pas, recensuesi i dytë i të njëjtit libër, njëkohësisht dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, bëri një vështrim të përgjithshëm të përmbledhjeve të studimeve, duke u ndalur pikërisht te rezultatet që dalin nga ky libër i rëndësishëm e me peshë në fushën e kërkimit shkencor, respektivisht në studimin e gjuhës shqipe.
Ndërkaq, dr. Agron Gashi, në cilësinë e recensuesit të librit me poezi “Me vaj n’buzë”, theksin e vendosi në stilin dhe elegancën e gjuhëtarit që krijon vargje me plot shije estetike. Sipas prof. Gashit, vargu i poetit Flamur Shala kap majat e poezisë shqipe.
Prof. Flamur Shala më pas i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për pjesëmarrjen në këtë aktivitet përurimi. Falënderime më të veçanta pati për dekanin, prof. Xhafer Beqiraj, recensuesit prof. Naser Pajaziti, prof. Agron Gashin dhe shefin e Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, ass. Fikret Ramadanin.
Në fund, në emër të Universitetit “Ukshin Hoti” përkatësisht të Fakultetit të Filologjisë, dekani, prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, i ndau mirënjohje profesorit Flamur Shala me motivacionin: Për kontributin shumëvjeçar të çmuar në fushën e arsimit dhe të shkencës.








