

Universiteti i Prizrenit dhe Instituti Albanologjik nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Në Universitetin e Prizrenit, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit institucional në mes të Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”. Marrëveshja u nënshkrua nga u.d. i drejtorit të Institutit Albanologjik-Prishtinë, prof. asoc. dr. Naim Berisha, dhe rektori i universitetit të lartcekur, prof. asoc. dr. Mentor Alishani. Marrëveshjes i parapriu takimi mikpritës nga rektori Alishani, i shoqëruar nga prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj (Dekan i Fakultetit të Filologjisë-UPZ), prof. asoc. dr. Shkëlqim Millaku dhe sekretari i përgjithshëm i UPZ-së, z. Nexhmedin Krasniqi, për u.d. drejtorin e IAP-it, z. Naim Berisha, i shoqëruar nga prof. ass. dr. Adil Olluri, sekretar shkencor i IAP, dhe prof. dr. Nuridin Ahmeti, shef i Degës së Historisë-IAP. Po ashtu, nënshkrimit i parapriu edhe dhurimi i botimeve të dy viteve të fundit të Institutit Albanologjik për bibliotekën e Universitetit në fjalë.
Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Universitetit të Prizrenit dhe Institutit Albanologjik mundëson organizime të përbashkëta akademike, si konferenca dhe tryeza shkencore, shkëmbim të literaturës shkencore, botime dhe përurime të përbashkëta, si dhe mundësinë që studiuesit e Institutit Albanologjik të ftohen si profesorë mysafirë në programet universitare të UPZ-së.






