

Universiteti ndau titullin “Doctor Honoris Causa” për akad. prof. dr. Oliver Jens Schmitt
Sot, në një atmosferë solemne, u zhvillua ceremonia për dhënien e titullit të lartë “Doktor Nderi – Doctor Honoris Causa” për akademik prof. dr. Oliver Jens Schmitt, e cila u mbajt në amfiteatrin e madh të Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren. Ky titull i veçantë iu dha për kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Schmitt në fushën e historisë, studimeve për Ballkanin dhe lidhjeve ndërkombëtare. Ceremonia u hap nga moderatorja dr. Dorinë Rakaj, dhe më pas fjala iu dha Rektorit prof. asoc. dr. Mentor Alishani ku theksoi rëndësinë e këtij titulli për universitetin dhe për rëndësinë që ka kontributi i Prof. Schmitt në njohjen dhe zhvillimin e historisë dhe kulturës shqiptare. Rektori Alishani, gjithashtu, nënvizoi angazhimin e universitetit për të vazhduar përpjekjet për të sjellë emra të njohur nga fusha të ndryshme të dijes dhe kërkimit shkencor. Pas kësaj, Arsim Ademi, Zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e përshëndeti këtë ngjarje si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe komunitetit akademik ndërkombëtar.
Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, dekan i Fakultetit të Filologjisë, lexoi arsyetimin për dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” akademikut Oliver Jenas Schmitt. Ai tha se “Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, në përputhje me misionin e tij për të nderuar figura të shquara që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e shkencës, kulturës dhe dijes, ka nderin dhe privilegjin t’i ndajë titullin “Doctor Honoris Causa” Prof. dr. Oliver Jens Schmitt. Ky titull nderi pasqyron vlerësimin për kontributin e çmuar të akademik Oliver Jens Schmitt në zhvillimin e historiografisë shqiptare dhe albanologjisë, duke sjellë qasje të thelluara shkencore dhe perspektiva të reja në studimin e historisë dhe të identitetit shqiptar. Nëpërmjet një qasjeje të bazuar në analiza kritike, kërkime të thelluara arkivore dhe me metoda të rrepta shkencore, prof. Schmitt ka ndikuar në zhvillimin e një historiografie objektive dhe shkencore të historisë shqiptare dhe të rajonit”. Për veç të tjerash, prof. Beqiraj tha se “prof. dr. Oliver Jens Schmitt ka ndjekur traditën e studiuesve evropianë si Johann Georg von Hahn, që në shekullin e 19-të hodhi themelet e albanologjisë përmes studimeve të tij mbi gjuhën, historinë dhe etnografinë shqiptare. Ashtu si Hahni dhe studiues të tjerë të huaj që kanë kontribuar në dokumentimin e historisë shqiptare, prof. Schmitt-i ka sjellë një qasje të re dhe të thelluar mbi të kaluarën e historisë shqiptare. Me punimet e tij mbi periudhën mesjetare dhe atë osmane, ai ka pasuruar studimet për historinë shqiptare, duke vazhduar kështu rrugën e hulumtimeve të nisura nga albanologët e mëhershëm gjermanofonë.” Ai përmendi veprimtarinë e tij të gjatë dhe të suksesshme akademike, veçanërisht punën e tij shkencore në fushën e historisë dhe në veçanti të studimeve për historinë shqiptare, si dhe përkushtimin e tij për edukimin e brezave të rinj të historianëve. Në fund të fjalës së tij theksoi se ky titull nderi simbolizon gjithashtu bashkëpunimin akademik ndërkombëtar dhe dëshmon përkushtimin e Universitetit tonë për të nxitur dijen, zhvillimin shkencor dhe përhapjen e vlerave kulturore dhe historike në shërbim të shoqërisë dhe të përparimit të saj.
Në një moment simbolik dhe me shumë respekt, rektori prof. asoc. dr. Mentor Alishani, i dorëzoi prof. dr. Oliver Jens Schmitt certifikatën solemne të titullit “Doktor Nderi – Doctor Honoris Causa”, një titull i merituar për kontributet e tij të jashtëzakonshme shkencore.
Në fjalën e tij, prof. dr. Oliver Jens Schmitt, i emocionuar, falënderoi Universitetin dhe të pranishmit për këtë nder dhe titull të lartë. Ai e konsideroi këtë titull si një motivim për të vazhduar angazhimin e tij për avancimin e dijes dhe shkencës. Më pas, Prof. Schmitt mbajti një ligjëratë të veçantë me titullin “Malet në Historinë Shqiptare”, ku theksoi rëndësinë e historisë natyrore dhe kulturore të malësive shqiptare dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e kombit shqiptar. Në këtë ceremoni morën pjesë edhe personalitete të shquara si: z. Nico Niederer,The Charge d’affaires, i Ambasadës Zvicerane, prof. Artan Hoxha, rektor i Universitetit të Tiranës, prof. Mihone Kerolli, rektore e IBCM-së, prof. Drilon Bunjaku, rektor i Universitetit “Fehmi Agani” – Gjakovë, dhe akademiku prof. dr. Valter Memisha (nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë) etj. Ky aktivitet ishte një moment i rëndësishëm për Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, dhe një mundësi për të promovuar vlera të shkencës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke sjellë emra të njohur dhe të respektuar nga fusha akademike globale.




