

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren nis zyrtarisht projektin ndërkombëtar SINCERE në takimin hapës në Korçë
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren ka marrë pjesë në takimin hapës të projektit të ri Erasmus+ SINCERE – Strengthening Integrity and Ethical Culture in Regional Higher Education, i mbajtur më 26–27 nëntor 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë. Ky projekt me rëndësi të madhe rajonale synon forcimin e integritetit akademik, promovimin e kulturës etike dhe modernizimin e proceseve të qeverisjes universitare në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë. Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren përfaqësohej nga Prof. Dr. Sejdi Sejdiu dhe prof. ass. Dr. Rezarta Ramadani, të cilët morën pjesë në prezantimet mbi menaxhimin e projektit, organizimin e punës për paketat e punës, struktura të kontrollit të cilësisë, trajnimin financiar, si dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme për vitin 2026.
Projekti SINCERE fokusohet në ngritjen e një kulture të mirëfilltë të integritetit akademik në arsimin e lartë, duke adresuar sfida të tilla si plagjiatura, praktikat joetike të kërkimit, përdorimi i pakontrolluar i teknologjive të reja dhe transparenca institucionale. Projekti do të mbështesë universitetet në zhvillimin e politikave etike, forcimin e njësive të cilësisë dhe ndërtimin e kapaciteteve të stafit akademik dhe administrativ për të menaxhuar në mënyrë efektive çështjet e integritetit.
Përfitimet për Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Përmes pjesëmarrjes në SINCERE, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren do të përfitojë në disa drejtime thelbësore:
- Zhvillimi dhe zbatimi i politikave institucionale për integritet akademik, të harmonizuara me standardet evropiane.
- Rritja e kapaciteteve të stafit përmes trajnimeve mbi etikat e mësimdhënies, menaxhimin e rasteve të shkeljeve akademike, detektimin e plagjiaturës dhe përdorimin e mjeteve të monitorimit në kohë reale.
- Forcimi i mekanizmave të sigurimit të cilësisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në proceset e akreditimit institucional dhe atij të programeve.
- Pajisja me infrastrukturë digjitale për menaxhimin e rasteve të integritetit, përfshirë sistemet e detektimit të plagjiaturës dhe një platformë rajonale bashkëpunuese.
- Rritja e profilit ndërkombëtar të universitetit falë bashkëpunimit me universitete të njohura nga Shqipëria, Kosova, Rumania, Polonia dhe Serbia.
- Pjesëmarrja në RAIN – Rrjetin Rajonal të Integritetit Akademik, që do të krijojë një bashkëpunim afatgjatë për politikat e integritetit në mbarë rajonin.
Rëndësia rajonale e projektit
SINCERE pritet të ketë ndikim të gjerë në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri dhe Kosovë duke:
- ngritur standarde të përbashkëta etike,
- nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar,
- modernizimin e qeverisjes universitare përmes teknologjive digjitale,
- forcimin e besimit të studentëve në proceset e vlerësimit dhe kërkimit shkencor.
Nëpërmjet këtij projekti, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren bëhet pjesë e një iniciative të rëndësishme rajonale që synon forcimin e etikës në arsimin e lartë, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë, transparencës dhe besueshmërisë së institucioneve akademike në rajon.



