

Urimet e dekanit me rastin e fillimit të vitit të ri akademik
Të dashur/a studentë/e,
me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2024-2025, dëshiroj në emrin tim, të stafit akademik dhe administrativ t’ju uroj përzemërsisht mirëseardhje dhe suksese të shumta! Ky moment përfaqëson një fillim të ri, një mundësi për të nisur një udhëtim të freskët plot me sfida të reja, njohuri dhe përvoja të vlerta. Me secilin fillimvit vijnë edhe mundësi të reja për t’u rritur, për t’i zhvilluar aftësitë tuaja, për të sfiduar veten dhe për të arritur suksese që do t’ju formojnë si individë dhe profesionistë.
Për ju studentë të vitit të parë, ky është një hap i madh në jetën tuaj. Ju po nisni një udhëtim të ri me synimin për të ecur drejt një bote të pasur me dije dhe mundësi të pafundme. Mund të ndiheni të pasigurt ose të hutuar, por dijeni se çdo fillim është i tillë. Besoni në veten tuaj, angazhohuni plotësisht dhe kërkoni gjithmonë të bëni më të mirën. Ky është momenti për të ndërtuar themelet e forta të suksesit tuaj të ardhshëm, kurse fakulteti ynë është për t’ju mbështetur në çdo hap të rrugëtimit tuaj.
Ju, studentë të viteve të ndërmjetme në studime, jeni tashmë të njohur me sfidat dhe kërkesat e fakultetit. Ju keni kaluar pengesat fillestare dhe tanimë keni mundësinë të thelloni njohuritë tuaja, duke u përqendruar dhe duke punuar edhe më shumë në formimin tuaj personal e profesional në programin studimor që keni përzgjedhur. Mos u ndalni së kërkuari për të studiuar më shumë dhe për të sprovuar veten në çdo hap. Këto janë vitet ku ju mund të zhvilloni me pasion arritjet akademike në fushën tuaj të dijes dhe të përgatituni për vështirësi që do të vijë më pas.
Studentë të vitit të fundit, ju jeni tashmë në kulmin e udhëtimit tuaj akademik dhe ndoshta ndieni emocionin dhe përgjegjësinë që sjell fundi i këtyre studimeve. Ky vit do të jetë vendimtar në përgatitjen tuaj profesionale që keni ëndërruar ta arrini. Mbase, shumëkush nga ju ka synime edhe për të vijuar me studimet e mëtejshme që mund t’i ndiqni pas përfundimit me sukses të studimeve themelore. Prandaj, kjo është koha për ta dhënë më të mirën nga vetvetja, për t’i shfrytëzuar tërë njohuritë që i keni fituar deri më tani dhe për t’i përqendruar energjitë tuaja në arritjen e qëllimeve që i keni vënë vetvetes. Ju keni kaluar nëpër vështirësi të shumta dhe tashmë jeni gati për të përballuar gjithçka që vjen më tej me vetëbesim dhe kompetencë.
Në cilindo vit që ndodheni, mos harroni kurrë rëndësinë e qëndrimit të paepur dhe të përkushtimit ndaj qëllimeve tuaja. Jeta akademike nuk është gjithmonë e lehtë, sigurisht se është mjaft sfiduese, por është njëherazi edhe një investim i madh në të ardhmen tuaj. Do të përballeni me vështirësi, por këto momente janë ato që ju forcojnë dhe ju përgatisin për sukseset e ardhshme. Mos kini frikë të sfidoni veten, që edhe kur të dështoni, të mësoni nga këto dështime! Çdo hap që ndërmerrni drejt arritjeve të mëdha fillon me besimin në vetveten tuaj dhe në aftësitë tuaja për të arritur suksese sa më të larta.
Në këtë rrugëtim nuk jeni vetëm. Në fakultet, profesorët e asistentët dhe stafi administrativ janë gjithherë të gatshëm për t’ju udhëhequr, për t’ju mbështetur dhe për t’ju inkurajuar. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë kur keni nevojë, të merrni pjesë në diskutime dhe të shfrytëzoni burimet që ju ofrohen në njësinë tona akademike, e cila ka pikësynim kryesor përgatitjen tuaj personale e profesionale sa më të mirë. Suksesi nuk është vetëm rezultati përfundimtar, por është edhe rrugëtimi që bëni për të arritur cilësisht atje ku synoni.
Në përfundim, dëshiroj t’u drejtohem me disa fjalë të veçanta kolegëve të mi (stafit akademik) dhe stafit administrativ të Fakultetit të Filologjisë: Ju falënderoj të gjithëve për punën e palodhur dhe përkushtimin tuaj të jashtëzakonshëm. Pa përpjekjet tuaja të përditshme për të ofruar një mësimdhënie cilësore dhe pa mbështetjen e gjithanshme tuajën dhënë studentëve në çdo hap të tyre, ky fakultet nuk do të ishte ky që është tani. Ju jeni forca që mban gjallë këtë institucion, që garanton çdo vit të jetë një sukses i ri për të gjithë ne.
Urime të përzemërta për vitin e ri akademik të gjithë studentëve, kolegëve dhe stafit administrativ! Qoftë vit i mbarë me plot arritje e suksese të reja!
Me respekt dhe besim në sukseset tona të përbashkëta,
Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, dekan.


