

Zv. Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike-Tiranë, Prof. Dr. Valter Memisha vizitoi Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit "Ukshin Hoti"
Më 26.11.2021, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, drejtuesit e fakultetit, u.d. dekani Prof. Asoc.dr. Flamur Shala dhe prodekani Prof. ass. dr. Xhafer Beqiraj, pritën Zv. Rektorin e Akademisë së Studimeve Albanologjike – Tiranë, Prof. Dr. Valter Memishën. Në takim u bisedua për çështje të rëndësishme nga fusha e albanologjisë dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike. Përvoja e gjatë akademike, kërkimore dhe drejtuese e Prof. Memishës, do të jetë ndihmesë për avancimin e programeve në fushën e albanistikës dhe albanologjisë në përgjithësi.
Drejtuesit e fakultetit, Profesor Memishës i uruan shumë suksese për nismën dhe çuarjen përpara të projekteve që trasojnë rrugën e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.